Foto: Armend Mehaj/Facebook

Kontingjenti i FSK-së niset drejt Turqisë

Një kontigjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës është nisur drejt Turqisë për ndihmë humanitare në rajonet e prekura nga tërmeti i sotëm.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Mehaj tha se kontingjenti i ushtarëve përbëhet nga specialistë të kërkim-shpëtimit urban, mjekësi emergjente dhe njësitë e K9.

Ndërsa theksoi se varësisht nga nevojat dhe kërkesat do të shtojnë kapacitet reaguese për kërkim-shpëtim dhe sanim të pasojave të tërmetit.

”Pas konsultave me Gjeneral Jasharin, kontakteve direkte gjatë tërë ditës me homologun tim turk, Ministrin e Mbrojtjes, Hulusi Akar, vendimin e kryeministrit Kurti dhe autorizimit nga ana e Presidentes Osmani, nisëm kontingjentin e specializuar të FSK-së për operacionin humanitar në Turqi për reagim me rastin e tërmetit të sotëm.Task-forca jonë përbëhet nga specialistët tanë në kërkim- shpëtim urban, mjekësi emergjente dhe njësitë e K9”- thuhet në postimin e Mehaj.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës për ta ndihmuar Turqinë në tejkalimin e pasojave të tërmeteve të sotme.

Një tërmet i fuqishëm prej 7.8 shkallësh të Rihterit goditi të hënën juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë, duke lënë të vdekur mijëra persona.