Shkup, Maqedoni e Veriut

3 të vdekur e 18 të infektuar në Maqedoninë e Veriut

Tre pacientë të prekur me coronavirus kanë vdekur në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut.

Nga Ministria e Shëndetësisë informuan se në Klinikën Infektive në Shkup ka vdekur një 46 vjeçare nga Llabunishta e Strugës, e pranuar në spital më 29 mars, ndërsa një kohë të gjatë ka qenë edhe në ventilim mekanik.

Pacienti tjetër që ka vdekur në këtë Klinikë është një burrë 71 vjeçar, raporton TV21.

Viktima e tretë ka vdekur në spitalin “8 shtator” të kryeqytetit, grua 63 vjeçare nga Kumanova, e cila ishte shtruar në spital që nga 6 prilli dhe menjëherë ishte vendosur në makinë respiratore.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 18 raste të reja të të prekurve me COVID-19: 9 në Kumanovë, 2 në Shkup, 2 në Tetovë, 2 në Shtip, 1 në Veles, 1 në Gostivar dhe 1 në Pehçevë.

Me ta numri total i të infektuarve në vend arrin në 1,225.

Sa i përket numrit të të shëruarve, nga Ministria e Shëndetësisë informuan se janë regjistruar 21 pacientë të shëruar, 16 nga Shkupi, 3 nga Kumanova dhe 2 nga Shtipi, ndërsa, të gjithë janë në mjekim shtëpiak.

Numri i pacientëve të shëruar nga COVID-19 në total shkoi në 200, raporton TV21./21Media