Foto: Screenshot, Albin Kurti, Facebook

25 vjetori i çlirimit, Kurti viziton Radion “Kosova e Lirë”

Në përvjetorin e 25 të çlirimit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti e ka vizituar “Radio Kosova e Lirë.

Kurti ka thënë se kjo radio ishte radio e Kosovës që luftonte për liri.

Ai ka thënë se gëzohet që ky studio – bunker është nën përkujdesjen e shtetit të Kosovës.

“Radio “Kosova e Lirë” ishte radio e Kosovës që luftonte për liri. Lirinë e medias sot, nuk do ta gëzonim dot pa luftën për liri. Gëzohem që kjo vlerë e veçantë e luftës, ky studio-bunker, tani është nën përkujdesjen e shtetit tonë. Një mirënjohje dhe urim i veçantë u takon çlirimtarëve lajmëtarë. Urime 25-vjetori i çlirimit të vendit”- ka shkruar Kurti në Facebook.

Kosova po shënon 25-vjetorin e çlirimit nga forcat serbe.

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.