ILUSTRIM: Dhuna në familje, Foto: Pixabay.com

22 raste të dhunës në familje të raportuara në dhjetor në rajonin e Ferizajt

Gjatë muajit dhjetor të vitit 2023, në Policinë e Kosovës janë raportuar 22 raste të dhunës në familje në rajonin e Ferizajt apo 5 raste më pak se në periudhën e njëjtë të një viti më parë.

“Në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Ferizaj gjatë muajit dhjetor-2023 janë raportuar 22 raste të dhunës në familje, për dallim nga muaji dhjetor i vitit 2022 që janë raportuar 27 raste” – thuhet në komunikatën e policisë.

Sipas statistikave, ndonëse në të gjithë rajonin e Ferizajt ka pasur rënie, në qytetin e Ferizajt ka pasur rritje të rasteve të raportuara. Nga 13 raste të raportuara në dhjetor 2022, 18 sosh janë raportuar në dhjetor 2023.

Ndërkaq, në Kaçanik numri ka rënë nga 5 në 2, në Shtime nga 6 në 2, në Shtërpcë nga 2 në 0 dhe në Han të Elezit nga 1 në 0.

“Policia ndaj personave që kanë shkaktuar dhunë në familje, pas interevistimit nga policët hetues të Njësisë së Dhunës në Familje, në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ka iniciuar kallëzim penal për procedura tjera hetimore” – vazhdon njoftimi.

Këto raste, policia thotë se i ka trajtuar në mënyrë profesionale me policë primarë dhe hetues rajonalë.

Policia apelon te qytetarët që të raportojnë rastet e dhunës në familje në stacionin më të afërt, përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” apo në numrat kujdestarë 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406.

“Policia zotohet për ruajtjen e të dhënave të raportuesve me konfidencialitet të plotë” – përfundon njoftimi.