178 ushtarë gjermanë homoseksualë aplikojnë për kompensim për diskriminim në të kaluarën

Ministria gjermane e mbrojtjes ka thënë të martën se ka pranuar 178 aplikime për kompensim nga persona homoseksual të cilët kanë përjetuar diskriminim në ushtri në të kaluarën.

Ministria tha përmes një deklarate se kishte pritur më shumë aplikime, por se megjithatë “qëllimet e ligjit janë arritur”.

Një ligj që i rehabiliton ushtarët homoseksualë që pësuan diskriminim hyri në fuqi dy vjet më parë dhe deri më tani, rreth 400,000 euro janë paguar si kompensim simbolik, thuhet në deklaratën e lëshuar nga ministria.

Ligji në fjalë u miratua në vitin 2021 pas një studimi të porositur nga ministria e mbrojtjes dhe i paraqitur në vitin 2020 të dokumentuar “diskriminim sistematik” në Bundesëehr – ushtria e Gjermanisë Perëndimore dhe që nga viti 1990 e Gjermanisë së ribashkuar – nga viti 1955 deri në fillim të shekullit të 21-të.

Ndërkohë qëa ushtria gjermane e ndaloi politikën e saj të diskriminimit ndaj ushtarëve homoseksualë në vitin 2000, u deshën më shumë se dy dekada për ta miratuar ligjin që u ofronte atyre kompensim.

Ligji ofron gjithashtu kompensim për ushtarët homoseksualë që shërbyen në Ushtrinë Popullore Kombëtare të Gjermanisë Lindore deri në bashkimin e Gjermanisë në vitin 1990.

Ministri i Mbrojtjes kërkoi falje për diskriminimin ndaj ushtarëve homoseksualë në Bundesëehr në kohën kur u prezantua studimi.

Studimi zbuloi se “orientimi ndaj të njëjtës gjini shihej si një rrezik sigurie në Bundesëehr deri në fund të mijëvjeçarit dhe e bëntë të pamundur arritjen e një karriere si oficer ose nënoficer”.

Në të kaluarën, ushtarët dënoheshin nga gjykatat ushtarake për seks homoseksual konsensual, pushoheshin nga puna, u mohohej promovimi ose hiqeshin nga përgjegjësia.

Në raportin e saj të martën, ministria e mbrojtjes shkroi se “pajtimi i ushtarëve të prekur me Bundesëehr-in nuk mund të matet vetëm nga numri i procedurave të suksesshme të rehabilitimit dhe pagesave të lidhura”. Raporti thotë se përveç kësaj, “komunikimi individual, vlerësues dhe vëmendja shoqëruese janë gjithashtu po aq pjesë e kësaj sa pranimi i qartë nga Bundesëehr-i se padrejtësia iu bë atyre të prekurve në atë kohë”.

Vitet e fundit, Gjermania është përpjekur ta trajtojë diskriminimin anti-homoseksual në të kaluarën në mënyra të ndryshme. Në vitin 2017, parlamenti gjerman votoi për t’i anuluar dënimet e mijëra burrave homoseksualë sipas një ligji që kriminalizon homoseksualitetin mashkullor, i cili u zbatua me zell në Gjermaninë Perëndimore të pas Luftës së Dytë Botërore.

Legjislacioni që e kriminalizon homoseksualitetin mashkullor u prezantua në shekullin e 19-të, u ashpërsua nën sundimin nazist dhe u mbajt në atë formë nga Gjermania Perëndimore demokratike, e cila dënoi rreth 50,000 burra midis viteve 1949 dhe 1969. Homoseksualiteti u dekriminalizua në vitin 1969, mirëpo legjislacioni nuk u hoq tërësisht deri në vitin 1994./NBCNews

Përgatiti: Nuhi Shala