Foto: Kallxo.com

Ish-policët e Mitrovicës në gjyq për ryshfet rreth gjobave të trafikut

Në gjykatën e Mitrovicës u dha fjala hyrëse në rastin ku të akuzuar janë 14 ish policë të njësisë së trafikut rrugor në pjesën jugore të Mitrovicës

Fillimisht fjala hyrëse u dha nga prokurorja e rastit Zejnije Kela, e cila ka thënë para trupit gjykues me kryetar gjyqtarin Avni Mehmeti dhe anëtarët Gëzim Ademi e Mentor Hajra, se nga provat të cilat i posedon prokuroria e që janë të propozuara edhe në aktauzë dhe nga dëgjimi i dëshmitarëve do të vertetohet se të pandehurit kanë kryer veprat penale ashtu siç thuhet në akuzë.

Ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve tanimë ish zyrtarët policorë Ahmet Hasani, Artan Bimbashi, Avni Mehmeti, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sahit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zekir Shala, me rastin e dhënies së fjalës hyrëse kanë deklaruar se gjatë shqyrtimeve gjyqësore do të vërtetohet se akuza e prokurorisë nuk është e arsyetuar mirë dhe të mbrojturit e tyre janë të pafajshëm.

Kurse ish-polici Avdi Beqiri e ka dhënë vetë fjalën hyrëse duke kundërshtuar aktakuzën për shkak se, siç ka thënë ai, akuza është ngritur duke u bazuar vetëm në disa përgjime dhe nuk është e bazuar në prova faktike dhe fizike.

Ndërsa ish-polici Bojan Saviq, i cili po ashtu vet e ka dhënë fjalën hyrëse, ka thënë se prokuroria duhet t’i vërtetojë akuzat që janë shkruar në aktakuzë.

“Prokuroria duhet ta vërtetojë prej kujt kam marrë, çfarë kam marrë, dhe kur kam marrë dhe nëse ekziston kjo pse nuk kanë reaguar në momentin kur ka marrë”, tha Saviq duke iu referuar asaj që në akuzë thuhet se ai sikurse edhe policët tjerë akuzohen për marrje ryshfeti në këmbim të shkëmbimit të shqiptimit të dënimit.

Gjithashtu prokurorja Kela ka propozuar që në këtë procedurë gjyqësore të dëgjohen si dëshmitarë edhe Slavoljub Dimiq, Goran Djuriq dhe Izet Jashari.

Propozimin e prokurores Kela, që si dëshmitarë të dëgjohen këta persona, avokati Mahmut Halimi e ka konsideruar si “të paartikuluar dhe zvarritje të procedurës”.

Ndërsa avokati Dobrica Laziq ka thënë se ky propozim i prokurorisë është i vonuar duke i propozuar gjykatës që të refuzohet.

Ndërsa avokati Visar Rrecaj ka propozuar që provat e siguruara nga masat të shpallen si të papranueshme sepse, sipas tij, në urdhrin e gjykatës nuk ishin përcaktuar emrat e personave ndaj të cilëve ishin zbatuar këto masa.

Lidhur me këto propozime trupi gjykues do të vendos në seancën e radhës.

Këta pjesëtarë janë pjesë e grupit prej 59 zyrtarëve policorë të cilët ishin arrestuar në dhjetor të vitit të 2016 nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe dhënie e ndihmës kryesve të veprave penale.

Prokuroria e Mitrovicës në maj të vitit 2017 kishte ngritur aktakuzë sipas se cilës akuzoheshin 37 persona, në mesin e tyre 35  policë të atëhershem për marrje ryshfeti dhe dy qytetarë për dhënie ryshfeti, raporton KALLXO.com

Në mesin e të akuzuarve për veprën penale “dhënia e ryshfetit” kanë qenë edhe dy qytetarë, Slavolub Dimiq dhe Goran Gjuriq, të cilët edhe e kanë pranuar fajësinë. Ndërsa me propozimin e Prokurorisë, Gjykata e Mitrovicës iu kishte  shqiptuar urdhër ndëshkimor në qershor 2016 dhe të njëjtit i ka dënuar me gjobë prej 500 eurosh për secilin.

Ndërsa procedura kishte vazhduar me 35 të akuzuarit e mbetur, kurse në gusht të viti 2017 gjykata në Mitrovicë me aktvendim kishte veçuar procedurën për 20 të akuzuarit nga Njësia e Trafikut Regjional në Veri, nga pjesa tjetër e 15 të akuzuarve që kanë qenë të angazhuar në Njësinë e Trafikut Rajonal në Jug të Mitrovicës.

Të gjithë të akuzuarve tani ish -policëve u ishte ndërprerë marrëdhënia e punës, raporton Kallxo.

Në gjykatë sot ishin të pranishëm 14 ish-zyrtarët policorë Ahmet Hasani, Artan Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sahit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zekir Shala tani të akuzuar, përveq të pandehurit Destan Rrecaj ndaj të cilit është hudhur aktakuza dhe ka pushuar procedura penale nën akuzën për marrje të ryshfetit.

Sipas aktakuzës, këta zyrtarë policorë kanë marrë ryshfet nga kundërvajtësit në trafik në shkëmbim të mosshqiptimit të gjobave.

Në këtë mënyrë, këta policë dyshohet se kanë përfituar për xhepin e tyre dhe i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës.