13 të vdekur si pasojë e rrjedhjes së gazit në Indi

13 njerëz kanë vdekur nga një rrjedhje masive e gazit në një fabrikë kimike në jug të Indisë dhe qindra të tjerë janë dërguar në spital, shkruan BBC.

Sipas mjekëve, pacientët janë ankuar për një ndjesi djegieje në sy dhe vështirësi në frymëmarrje, raporton BBC.

Zonat përreth qytetit Visakhapatnam janë evakuuar dhe sipas zyrtarëve rrjedhja ka mundësi që ka ndodhur si pasojë e pakujdesisë. Marina indiane është duke ndihmuar me furnizim me oksigjen për pacientët ndërsa  zyrtarët  i kanë kërkuar njerëzve të mbrohen duke i mbuluar fytyrat me leckë të lagur.

Rrjedhja ndodhi rreth orës 03:00 të kohës lokale, kur uzina u rihap për herë të parë që nga 24 marsi, kur India hyri në bllokim për të parandaluar përhapjen e coronavirusit.

Ministri  i Industrisë, Goutam Reddy tha për BBC Telugu se dukej sikur procedurat dhe udhëzimet e duhura nuk ndiqeshin kur uzina në pronësi të Koresë së Jugut ishte duke u rihapur.

Sipas raporteve  përpjekjet fillestare për të kontrolluar rrjedhjen e gazit ishin të pasuksesshme, por kompania dhe zyrtarët e shtetit thonë se situata tani është nën kontroll.

India ka një histori tragjike të rrjedhjeve të gazit. Në 1984, një rrjedhje kimike toksike në një fabrikë pesticidesh në qytetin qendror të Bhopal mbyti mijëra njerëz, dhe konsiderohet të jetë katastrofa më e keqe industriale në botë.

Më shumë se 35 vjet më vonë, viktimat thonë se fëmijët akoma kanë lindur me nevoja të veçanta  për shkak të efekteve të derdhjes së gazit “metil izocyanat”.

Përktheu- Antigonë Isufi