Kuvendi i Kosovës, 11.04.2019

Kuvendi i Kosovës i zgjat mandatin komisionit hetimor për PTK dhe Vala

Me 66 vota për dhe një kundër është miratuar zgjatja e mandatit edhe për 5 muaj të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala.

Visar Ymeri, kryetar i këtij komisioni, tha se me 6 prill i ka skaduar mandati Komisionit Hetimor dhe se janë dakorduar për fushëveprimin e komisionit.

“Aktualisht jemi pa mandat dhe rrjedhimisht duhet sa ma shpejt ta vazhdojmë punën e këtij komisioni”, tha Ymeri.

Albulena Haxhiu, deputete e Vetëvendosjes, tha se pajtohen me kërkesën për zgjatjen e mandatit për 5 muaj.

Haxhiu ka kërkuar gjithashtu që të ndryshohet emri i komisionit.

“Dakordohemi për ta zgjatë mandatin edhe për 5 muaj sepse për 1 muaj është e pamundur të hetohen gjithë ato kontrata. Kuvendi ka votu për komisionin në gjendjen në PTK dhe Vala. Ndërmarrje publike me emrin PTK nuk ka më. Prandaj për të qenë të saktë propozojmë që ky emërtim të jetë PTK, Telekomi i Kosovës, Posta e Kosovës”, tha ajo.

Ndërsa, Ymeri tha se emërtimi aktual nuk e pengon punën e komisionit.

Në këtë pikë ishte paraparë që të propozohet edhe emri i zëvendëskryetarit të këtij komisioni nga deputeti Milaim Zeka, por meqenëse ai nuk ishte prezent në sallë deputetët votuan vetëm për zgjatjen e mandatit të këtij komisioni.

“Milaim Zeka duhet me propozu zëvendës kryesuesin”, tha Ymeri.

Ndërsa deputetja Haxhiu tha se kanë kërkuar që edhe kryetari edhe zëvendëskryetari të jenë nga opozita. Sipas saj për zëvendëskryetar kanë kërkuar që të votohet emri i Liburn Aliut.

Kuvendi i Kosovës është në pauzë deri në ora 15:00.