Më shumë se 100 vizatime parahistorike të gjetura në një shpellë në verilindje të Spanjës

Më shumë se 100 gdhendje prehistorike janë zbuluar, të rregulluara në një pllakë tetë metrash, brenda një shpelle të njohur si Cova de la Vila, në rajonin verilindor të Spanjës të Katalonjës.

Ekipi nga Instituti Katalan i Paleoekologjisë Njerëzore dhe Evolucionit Social (IPHES) i përshkroi ekspozitat e gjetura në galerinë nëntokësore të Mesdheut si “të jashtëzakonshme, si për veçantinë e tyre ashtu edhe për gjendjen e tyre të shkëlqyer të ruajtjes”.

Sipas ekspertit të IPHES Ramón Viñas, veprat paraqesin një pamje të botës së shoqërive të para bujqësore gjatë epokës kalkolitike dhe bronzit. Gdhendjet u zbuluan për herë të parë me 13 maj të vitit 2021 nga një grup prej tre studiuesish të shpellave dhe më pas u analizuan nga arkeologët dhe paleontologët nga IPHES, thuhet  në një deklaratë të këtij instituti.

Shembuj të artit të shpellave përfshijnë përshkrime të figurave të ndryshme katërkëmbëshe, linja zigzag, lineare, këndore dhe rrethore, si dhe një numër zoomorfesh (ndoshta gjedhe dhe thundrakë), linja në formë ylli dhe rrjetore. Zbulimi i artit të shpellës përfaqëson “një nga paraqitjet e rralla të artit skematik të nëndheshëm në të gjithë Harkun Mesdhetar”, thuhet në një deklaratë të bërë nga qeveria rajonale e Katalonjës.

Sipas IPHES, ky zbulim shënon një “kthesë historike për arkeologjinë parahistorike”.

Shpella u eksplorua nga Salvador Vilaseca në vitet 1940, por vendndodhja e saj humbi pastaj. Studiuesit e IPHES arritën ta hapnin një vrimë të vogël midis blloqeve të gurit dhe arritën në një dhomë ovale prej më shumë se 90 metrash katrorë.

Personi i parë që hyri ishte Juli Serrano, i cili, për habinë e tij, pa “një murale plot me vija dhe figura”. Ai thotë se kur ka hyrë në zgavrën e madhe e të rrumbullakët dhe ka parë se çfarë kishte brenda, ka ndjerë “një emocion shumë të madh, të cilin do ta mbaj me vete gjatë gjithë jetës”. Dhe duke mos qenë në dijeni, ai sapo kishte zbuluar një nga grupet më të rëndësishme të artit parahistorik të shpellave. Që nga ai moment, studiuesit Ramon Viñas dhe Josep Vallverdú nga IPHES filluan të punojnë në atë lokacion.

Viñas ka thënë se pllaka me gdhendje është e strukturuar përgjatë pesë vijave horizontale, njëra mbi tjetrën dhe se secila prej tyre përmban figura të ndryshme të gdhendura që kanë kuptimin dhe simbolikën e tyre. Shkencëtari i lartcekur tutje ka thënë se bëhet fjalë për një përbërje “absolutisht të pazakontë” që e tregon “botëkuptimin e popullsisë së territorit gjatë procesit të neolitizimit”.

Një nga veçoritë është se ky art shpellor është bërë “ekskluzivisht me teknikën e gdhendjes”, duke përdorur vegla guri ose druri ose direkt me gishta, ka shpjeguar Viñas i cili  beson se kjo, si dhe fakti që është “stilistikisht shumë homogjen”, tregon një kuptim simbolik. Nuk është rezultat i rastësisë.

Gjatë periudhës tranzitore midis kalkolitit dhe epokës së bronzit, midis fundit të mijëvjeçarit të 5-të dhe fundit të 3-të para Krishtit, grupet njerëzore ishin kryesisht në natyrë dhe prania e tyre ishte shumë e rrallë në zgavrat nëntokësore të Katalonjës, në verilindje të Gadishullit Iberik. Diku tjetër në Spanjë, shembuj të hapësirave nëntokësore janë gjetur gjithashtu në Andaluzi, Segovia, Burgos dhe Soria.

Për ta garantuar ruajtjen e tij, qeveria rajonale e ka mbyllur hyrjen në Sala dels Gravats (Dhoma e Gdhendjes). Vendndodhja është shpallur një pasuri kulturore me interes kombëtar dhe po punohet për krijimin e një modeli 3D të shpellës, shkruan El Pais./Klix.ba

Përgatiti: Nuhi Shala