Arkeologët danezë gjetën një mbishkrim runik rreth 2,000 vjet të vjetër
Arkeologët në Danimarkë e kanë zbuluar një kamë të vogël me simbole runike pothuajse dy mijëvjeçarë e vjetër, duke e përshkruar atë si një zbulim të rëndësishëm për të kuptuar historinë njerëzore të rajonit.
Mbishkrimi është “unik” dhe daton rreth vitit 150 pas Krishtit, ka njoftuar të hënën Muzeu Odense.
Runat e kësaj periudhe deri më tani janë zbuluar vetëm një herë, në vitin 1865 në Vimosen, në perëndim të qytetit danez të Odense.
“Runat në thikë janë shkruar në alfabetin më të vjetër runik të njohur dhe për këtë arsye zbulimi i ri është një pjesë shumë e rëndësishme e të kuptuarit dhe interpretimit të përdorimit më të vjetër të shkrimit në Danimarkë dhe rajonin nordik” – kanë thënë zyrtarë të muzeut Odense në një deklaratë.
Shkrimi runik është përdorur nga fiset gjermane dhe është forma më e vjetër e njohur e shkrimit në Skandinavi. U përdor gjerësisht që nga fillimi përmes epokës së vikingëve deri në mesjetën e vonë.
Thika u gjet në një vend të vogël varrimi në lindje të Odense. Fjala ‘hirila’, që do të thotë ‘shpatë e vogël’ në norvegjisht, ishte gdhendur në teh. Është e pamundur të thuhet nëse ishte emri i vetë thikës apo pronari i saj.
“Me një zbulim të tillë në duart tona, ne si njerëz përjetojmë një përballje me të kaluarën. Mbishkrimi runik është si të gjesh një mesazh nga të lashtët”, ka thënë arkeologu Jakob Bonde në një deklaratë. Nga 2 shkurti, kama do të ekspozohet në një ekspozitë speciale në muzeun Møntergården në Odense./tportal.hr
Përgatiti: Nuhi Shala