Logoja e Operës së Kosovës. Foto: Facebook/MKRS.

Zgjidhet logoja e Operës së Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se është përzgjedhur logoja identifikuese e Operës së Kosovës.

Sipas njoftimit, në konkursin publik të shpallur nga MKRS-ja janë pranuar gjashtë propozime dhe në mënyrë unanime është përzgjedhur logoja e Berin Hasit.

“Origjinaliteti, niveli estetik dhe kreativ, përdorimi i simbolit ‘Neum’ në krijimin vizual të frekuencës akustike, pasqyrimi artistik i veprimtarisë së Operës së Kosovës, përdorimi i një fonti të ri origjinal nga autori, janë disa nga arsyet e vendimit të jurisë së kryesuar nga Arlinda Hajrullahu teksa anëtarë tjerë ishin Alisa Gojani, Dhurata Ramosaj, Dardan Selimaj dhe Meriton Ferizi”-thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Edhe pse Ligji për Operën është miratuar qysh më 2006, vetëm në gusht të 2021 Kuvendi i Kosovës votoi për themelimin e Operës.

Ndërsa vitin e kaluar, Kuvendi Komunal i Prishtinës votoi propozimin që prona prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë të jetë vendi ku do të ndërtohet shtëpia e Operës dhe Baletit (TOB).

Qysh më 2006 MKRS vendosi për ndërtimin e objektit të Teatrit Operës dhe Baletit, kur edhe ishte caktuar lokacioni për ndërtimin e objektit te Fakulteti Teknik. Guri i themelit për ndërtimin e këtij objekti ishte vënë më 2009, por gjithçka përfundoi pak vite më vonë kur MKRS hoqi dorë që objekti i TOB-së të ndërtohet te Fakulteti Teknik në Prishtinë. Për projektin e ndërtimit të këtij objekti u harxhuan mbi 800 mijë euro.

 

 

Opera e Kosovës është themeluar në gusht të vitit 2021 nga Kuvendi i Kosovës.

 

 

 

 

Logoja e Operës së Kosovës. Foto: Facebook/MKRS.