Foto: Kallxo.com

Vushtrri, mbahet Takimi i Poeteshave Shqiptare, ndahen çmimet

Poetja Valmira Sylejmani ka fituar çmimin kryesor të Takimit të Poeteshave Shqiptare që u mbajt sot në Vushtrri, për të 38-ën herë me radhë.

Këtë çmim poetja Sylejmani e mori për poezinë “Kalendari i dhimbjes”.

Vendin e dytë e mori poetja Nurmishahe Demalilaj, me poezinë “Më lejo me të dashtë me poezi”, kurse Majlinda Shaqiri e mori vendin e tretë me poezinë “Xherdan nuserie”.

Çmimi  e debutueses e mori Elona Fazliu me poezinë “Vushtrrisë”.

Çmimet kanë edhe kundërvlerë monetare.  Fituesja e vendit të parë shpërblehet me 500 euro, e dyta 300 euro, e treta 200 euro, kurse debutuesja (poetja më e re) me 100 euro.

Festivali është mbajtur vetëm një ditë në Qendrën e Kulturës ne Vushtrri për shkak të pandemisë.

Në këtë edicion të Takimit të Poeteshave Shqiptare kanë marrë pjesë 21 poete të përzgjedhura nga juria profesionale.

Takimet e Poeteshave Shqiptare është festival i cili promovon vlera kulturore, letrare, dhe i vetmi i tillë në trevat shqiptare.