Unioni i Shkrimtarëve mbledh në Pejë krijuesit në Simpoziumin e 7-të Ndërkombëtar

Organizuar nga Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptarë, me mbështetje të Ministrisë së Kulturës dhe me përkrahjen e Komunës së Pejës, mbahet Simpoziumi i 7-të Ndërkombëtar për Letërsinë.

Ceremonia zyrtare e hapjes së këtij simpoziumi treditorë do të mbahet më 10 shtator 2019 në ora 10:00 në Teatrin “Istref Begolli” të Pejës.

Temë bosht e këtij simpoziumi letrar në edicionin tij të 7-të do të jetë “Imoraliteti në tekstet e këngëve”.

Përmes një njoftimi për media, organizatori i këtij aktiviteti njofton se kjo ngjarje kulturore ka për qëllim studimin dhe trajtimin e temave specifike nga disa këndvështrime që shkoqiten dhe debatohen nga kritikë të njohur kombëtarë dhe ndërkombëtarë që vinë enkas në Kosovë.

“Në simpoziumet e mëparshme janë trajtuar temat si: Shqiptarët në veprën e Bajronit, figura e gruas në roman… ndërsa kësaj here tema e kësaj ngjarje është: Imoraliteti në tekstet e këngëve. Tekstet e disa këngëve imorale ekzistojnë jo vetëm në mesin e shqiptarëve , por në çdo vend të botës, andaj kjo temë është konsideruar si universale që ndikon negativisht në edukimin e brezit të ri”, thuhet në njoftimin USHKSH.

Ky simpozium letrar do të zgjasë deri më 13 shtor 2019, ndërsa pritet të marrin pjesë krijues të huaj si nga Anglia, Franca, etj, por prezentë do të jenë edhe krijuesit nga të gjitha trojet shqiptare e ne mesin e tyre edhe Hamit Boriçi nga Tirana, doajeni i gazetarisë shqiptare, si dhe Sadri Fetiu nga Kosova.

Gjatë tri ditëve të këtij simpoziumi do të ketë edhe promovim librash dhe aktivitete tjera për librin dhe letërsinë.