Pamje nga simpoziumi, “Muhaxhirët nëpër vite 1877/78-2021’. Foto: KALLXO.com

Mbahet simpoziumi shkencor për muhaxhirët e Sanxhakut të Nishit

Shoqata Shqiptare e Muhaxhirëve Mbarëkombëtarë ka organizuar sot simpoziumin shkencor, “Muhaxhirët nëpër vite 1877/78-2021”.

Qëllimi i organizmit të këtij simpoziumi, sipas organizatorëve, është sensibilizimi i çështjes së muhaxhirëve, hedhje më shumë dritë në tragjedinë dhe masakrat që kreu ushtria serbe gjatë viteve 1877/78, ndaj shqiptarëve autokton të atij rajoni.

Por, sipas tyre, nga ky simpozium u kërkohet qeverive në Prishtinë dhe Tiranë për ta trajtuar këtë çështje në mënyrë institucionale.

Asllasn Qyqalla, kryetar i kësaj shoqate tha në hapje të simpoziumit se çështja e muhaxhirëve, pavarësisht rëndësisë ende nuk ka dalë në sipërfaqe e vërtetat rreth saj.

“Nën pushtetin jugosllav, çështja e muhaxhirëve ishte të lënë anash. Por, tanimë besoj, se do t`i hulumtojmë dhe gjurmojmë të gjitha ato shtigje në të cilat shtegtuan muhaxhirët, për të nxjerrë në sipërfaqe të vërtetën për ta”, ka thënë Qyqalla.

Gjatë simpoziumit u prezantuan kumtesa nga studiues të çështjes së muhaxhirëve, të cilët thanë se shteti serb duhet të paditet ndërkombëtarisht për krimet që kreu ndaj shqiptarëve në Sanxhakun e Nishit.

Në dimrin e viti  1877/78 ushtria serbe sulmoi viset shqiptare, atëherë në Perandorinë Osmane, duke kryer masakra të mëdha ndaj popullsisë civile shqiptare.

Me qindra mijëra shqiptarë të Rajonit të Nishit dhe Toplicës u detyruan të largohen në brendësi të territorit të Kosovës, Maqedonisë, por edhe në Turqi e më larg.

Pamje nga simpoziumi, “Muhaxhirët nëpër vite 1877/78-2021’. Foto: KALLXO.com