Foto: KALLXO.com.

Nderohet producentja Vjosa Berisha, Kurti: Iku gruaja që e futi vendin në hartën e kulturës botërore

Qytetarë të shumtë, zyrtarë të lartë shtetërorë, politikanë e artistë i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit producentes Vjosa Berisha.

Poducentja Berisha vdiq ditë më parë në Londër pas një sëmundjeje të rëndë.

Homazhe dhe një ceremoni komemorative është mbajtur pasdite në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Vlerësime të larta u dhanë për Berishën për punë e saj bërë në fushën e filmit.

Homazhe bëri edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.  Ai tha se Prishtina ka mbetur pa një grua e cila me optimizmin, pozitivitetin e saj, por gjithashtu edhe me talentin e saj i dha shumë kulturës dhe artit te ne.

“Ajo kontribuoi për vendin tonë që të futet në hartën e artit edhe kulturës botërore”, tha  kryeministri Kurti.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha gjatë mbledhjes komemorative se Prishtina ka humbur një ikonë dhe lidere të pazëvendësueshme në fushën e artit dhe kinematografisë.

“Si producente e  shumë serialeve, filmave e dokumentarëve ajo ka nxjerrë në pah vlerat e sfidat e shoqërisë sonë”, tha Rama.

Ndërkaq, Gentiana Pallaska, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, tha se ishte shokues lajmi për vdekjen e Vjosa Berishës.

“Ajo la një trashëgimi shumë të bujshme profesionale në prodhim të filmave, programeve e dokumentarëve, e në fusha të shumta mediatike”, tha ajo.

Yll Uka nga Shoqata e Producentëve tha se Vjosa Berisha  dha shumë për kulturën dhe filmin kosovar.

“’PriFilm Fest”, prodhime të saj në industrinë e filmit do jenë përherë trashëgimi e artit kosovar”, tha Uka.

Kurse, regjisori Fatos Berisha, bashkëshorti i së ndjerës, tha se Vjosa kishte një shpirt luftarak dhe nuk është dorëzuar përballë sëmundjes.

Vjosa Berisha ishte themeluese dhe drejtoreshë e përgjithshme e festivalit “Prishtina International Film Festival” (PriFilm). Me “PriFest-in”, Berisha arriti të sjellë në Prishtinë emra të njohur të kinematografisë botërore.

Foto: ZKM.

Foto: KALLXO.com.
Foto: KALLXO.com.