Qeveria publikon agjendën shtetërore të aktiviteteve për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë publike agjendën qeveritare për shënimin e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2022.

Sipas njoftimit qeveritar, aktivitetet do të nisin me ngritjen e Flamurit të Kosovës në oborrin e Qeverisë.

Më pas do të bëhen dhe homazhet dhe vendosja e kurorave në Kompleksin Adem Jashari në Prekaz- Skenderaj, për të vazhduar pastaj me homazhe dhe vendosja e kurorave të varri i Adem Demaçit dhe Ibrahim Rugovës.

Seanca plenare e kuvendit të Kosovës është planifikuar të mbahet në ora 11:00 – 11:40.

Nga ora 12:00 deri në 13:00 do të bëhet parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Kurse, pritja shtetërore do të mbahet nga ora 16:00 deri në 17:00 në Sallën Atelier në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Po në kuadër të agjendës shtetërore për shënimin e Ditës së Pavarësisë, do të ketë edhe një program të ngjeshur kulturo-artistik.

Nga ora 14:00 deri në 15:00 në Bibliotekën Kombëtare promovohet librit “78 ditë bombardime të NATO-s”, Filharmonia e Kosovës mban koncert nga ora 17:00 me vepra të autorëve shqiptar në Pallatin e Rinisë, koncerti “Festë të madhe ka Kosova” mbahet nga ora 18:30 në Teatrin Kombëtar. Ndërsa një koncert do të mbahet pas orës 20:00 në Kino Armata në Prishtinë.