Foto: KALLXO.com.

Për shkak të luftës në Ukrainë, Festivalit të Filmit të Odesas do t'i bëhet vend në ‘Prifest’

Edicioni i 14-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, “PriFest”, do të jetë nikoqir i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Odesas, OIFF, të Ukrainës. 

Në pamundësi për tu mbajtur në Odesa të Ukrainës për shkak të luftës, OIFF, me festë të menaxhmentit të “PriFest”-it do të mbajnë këtë verë një edicion të përbashkët në Prishtinë. 

Edicioni i përbashkët, me moton “Odesa IFF përtej kufijve: Odesa në PriFest” do të mbahet nga 26-31 korrik 2022, është bërë e ditur sot gjatë një konference të përbashkët të organizatorëve të “Prifest”-it dhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. 

Gjatë mbajtjes së këtij festivali të përbashkët në Prishtinë pritet të marrin pjesë 25 deri 30 persona nga Ukraina.

Kryetari Rama tha gatë kësaj konference se festivali do të mbështetet nga Komuna e Prishtinës, ndërsa ka thënë se në kryeqytet, artistët ukrainas do të gjejnë shtëpinë e dytë. 

“Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të shfaqur solidarizimin e kryeqytetit të Kosovës me luftën e Ukrainës, për të drejtën më themelore të saj, lirinë. Ne i dimë të këqijat që i sjell lufta përballë një agresori që nuk kursen as civil e as fëmijë. Prishtina ju përkrah me të dyja duart”, tha kryetari i Prishtinës gjatë konferencës. 

Ndërsa, Vjosa Berisha, drejtoreshë e “PriFest”-it, tha gjatë konferencës, se Odesa e ka anuluar festivalin dhe ideja ka ardhur si rezultat i partneritetit që kanë dy festivalet. 

“Dy festivalet gjithmonë janë përputhur me terminët në fund të korrikut, si dhe shpesh kanë ndarë mysafirët ndërkombëtarë që kanë udhëtuar nga njëri festival në tjetrin. Edhe këtë vit ishte paraparë ashtu dhe duke marrë parasysh këtë miqësi kemi vendos t’i ofrojmë një hapësirë në ‘PriFest’”, tha ndër të tjera Berisha. 

Gjatë këtij edicioni është paraparë një program special të filmave nga kineastët e rinj ukrainas nga programi i Odesa IFF. Gjithashtu është paraparë që 10 projekte filmike ukrainase të marrin pjesë në PriForum, në sesionin garues të Best Pitch.