Tina Turner

Vdes ylli i muzikës Tina Turner

Këngëtarja Tina Turner, superylli i shumë hiteve të muzikës Pop dhe Rock ‘n’Roll  ka vdekur në moshën 83-vjeçare, njofton BBC.

Turner vuante nga një sërë problemesh shëndetësore vitet e fundit, përfshirë kancerin, një sulm në tru dhe dështimin e veshkave.

Ajo u bë e famshme së bashku me bashkëshortin Ike në vitet 1960 me këngët si: Proud Mary dhe River Deep, Mountain High.

Turner u divorcua nga Ike në vitin 1978 dhe vazhdoi të arrinte suksese edhe më të mëdha si artiste solo në vitet 1980, siç ishte edhe hiti What’s Love Got to Do With It.

E quajtur Mbretëresha e Rock ‘n’ Roll-it, Tina Turner ishte e famshme për performancat e saj energjike në skenë dhe vokalin e fortë.

Ajo fitoi tetë çmime Grammy dhe u fut në Rock ‘n’ Roll Hall of Fame në 2021.