Foto: Facebook

Ilir Meta e dekoron Plácido Domingon me titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta e ka dekoruar me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” tenorin me famë botërore, Plácido Domingo.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, president Meta ka shkruar se Domingo ka mbështetur e bashkëpunuar ngushtë me sopranot dhe tenorët shqiptarë.

“E çmova sot me “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, sepse nuk mund të gjenim një Titull më të mirë vlerësimi për Maestro Plácido Domingo, se sa emrin e Heroit tonë Kombëtar, i cili vazhdon edhe pas kaq shekujsh të jetë frymëzim për rrugën evropiane të Shqipërisë”, ka shkruar Meta në Facebook.

Tenori Domingo po qëndron në Tiranë ku dje ishte pjesë e galla koncerti të mbajtur në Sallën e restauruar të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë.

Postimi i plotë i Metës:

I jemi mirënjohës tenorit të jashtëzakonshëm me famë botërore, Maestro Plácido Domingo, për frymëzimin, mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë, që u ka dhënë gjithmonë sopranove dhe tenorëve shqiptarë, të cilët e kanë nderuar kombin tonë me sukseset e tyre në skenat ndërkombëtare, si Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu dhe shumë të tjerë.

Prania e kësaj figure të rëndësishme të muzikës dhe operës botërore, si dhe interpretimi i tij i paharrueshëm për artdashësit shqiptarë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ishte kënaqësi e veçantë dhe një ngjarje e madhe, që na nderon.

E çmova sot me “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, sepse nuk mund të gjenim një Titull më të mirë vlerësimi për Maestro Plácido Domingo, se sa emrin e Heroit tonë Kombëtar, i cili vazhdon edhe pas kaq shekujsh të jetë frymëzim për rrugën europiane të Shqipërisë.