Dumoshi në Vushtrri: I kemi paraparë 600 mijë euro për stadium  

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të vazhdojë të ndihmojë në renovimin e stadiumit të Vushtrrisë.  Kështu ka thënë ministrja e Kulturës Vlora Dumoshi gjatë një vizite që ka pasur sot në stadiumin qytetit të Vushtrrisë. 

E shoqëruar nga zëvendësministrat Arber Grabovci dhe Engelbert ZefajDumoshi ka vizituar sot Komunën e Vushtrrisë për të inspektuar projektet infrastrukturore në të cilat po investon MKRS-ja. 

Përmes një komunikata, MKRS njofton se Dumoshi është pritur nga kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri, me të cilin diskutuan për projektet në resorët të cilët i mbulon ministria, në kulturë, rini, sport e trashëgimi. 

Pas takimit në Komunë, shton komuniktaDumoshi e Tahiri vizituan stadiumin e Vushtrrisë, për të cilin MKRS-ja ka projektin që ky terren sportiv të shndërrohet në stadium të kategorisë së dytë të UEFA-së. 

“Vushtrria njihet me sportistë e sportiste shumë të mira. Ne si ministri kemi planifikuar të investojmë në stadium. Më parë kemi nisur ndërtimin e tribunave por që kanë mbetur në gjysmë. I kemi paraparë 600 mijë euro për stadium dhe do të punojmë ngushtë me kryetarin dhe komunën që të punojmë në bazë të standardeve të parapara evropiane, duke e përmbushur edhe një prioritet të Qeverisë Hoti, për mbështetjen dhe zhvillimin e sportit në vendin tonë”, citohet të ketë thënë Dumoshi, ndër të tjerash.  

Ndërsa kryetari Tahiri e falënderoi ministren dhe MKRS-në për përkrahjen dhe investimin në shumë projekte të cilat janë të mirëseardhura për banorët e Komunës së Vushtrisë 

 “Vushtrria merret shumë me futboll, ka nxjerrë futbollistë të talentuar dhe ka shkolla të futbollit të cilat kanë më shumë se 600 fëmijë, dhe se investimet e MKRS-së në këtë drejtim, shkojnë drejtpërsëdrejti në dobi të tyre”, ka pohuar Tahiri.