Fillon numërimi: BE-ja ka vendosur një afat zyrtar për kalimin në standardin e karikuesit USB-C

Pasi Bashkimi Evropian miratoi një direktivë me të cilën të gjitha pajisjet elektronike do të duhet të përdorin të njëjtin standard të karikuesit (USB-C), tanimë ka kaluar edhe afati përfundimtar zyrtar pas të cilit hyn në fuqi kjo direktivë.

Kështu, të gjitha pajisjet që janë në tregun e BE-së pas datës 28 dhjetor 2024 do të duhet të pajisen me një port karikimi USB-C.

Direktiva u botua në gazetën zyrtare të BE-së dhe do të hyjë në fuqi pas 20 ditësh, dhe shtetet anëtare do të kenë një maksimum prej 24 muajsh për ta përshtatur legjislacionin e tyre kombëtar.

Edhe pse dihej më parë se USB-C do të duhej të pranohej si standard në dy vitet e ardhshme, nuk ishte e qartë se kur do të bëhej saktësisht. Në informacionet e para flitej për vjeshtën e vitit 2024, ndërsa pas pranimit të direktivës u përmend fundi i vitit 2024. 

Sipas BE-së, direktiva u miratua për ta reduktuar sasinë e mbeturinave elektronike që ndodhin për shkak të hedhjes së karikuesve të gjeneratës së vjetër, hapësirat e të cilëve nuk përputhen me portat në pajisjet e reja. Sipas të dhënave zyrtare, pothuajse 11 mijë tonë mbeturina elektronike hidhen çdo vit në BE.

Direktiva gjithashtu u jep konsumatorëve mundësinë për ta blerë një pajisje të re me ose pa karikues, duke kursyer para dhe në të njëjtën kohë duke e reduktuar sasinë e mbetjeve elektronike që lidhen me prodhimin, transportin dhe asgjësimin e karikuesve.

Katër vjet pas hyrjes në fuqi të direktivës, Komisioni do ta vlerësojë nëse këto shitje të veçanta duhet të bëhen të detyrueshme.

Vendimi për standardin e karikuesit USB-C vlen për telefonat inteligjentë, por edhe për pajisjet e tjera të vogla elektronike si tabletët, kufjet me valë, kamerat dixhitale dhe konzolat e videolojërave në dorë. I njëjti standard do të zbatohet për kompjuterët notebook, por vetëm nga prilli i vitit 2026.

Duhet të ceket se ky standard zbatohet vetëm për pajisjet që e mbështesin karikimin me tela. Pajisjet që mbështesin vetëm karikimin me valë (të tilla si disa orë inteligjente, disa kufje, etj.) nuk kanë nevojë të pajisen me një fole USB-C.

Direktiva për futjen e një standardi të vetëm nënkupton ndryshimin më të madh për Apple, e cila që atëherë ka refuzuar t’i përdorë standardet USB të përdorura nga prodhuesit e tjerë të telefonave inteligjentë dhe pajisjeve të tjera të vogla elektronike. Megjithatë, Apple konfirmoi se ata planifikojnë t’i harmonizojnë produktet e tyre me direktivën e BE-së. Për momentin, nuk dihet se cila do të jetë pajisja e parë e Apple që do ta mbështesë standardin USB-C, por spekulohet se kjo mund të ndodhë që në vitin 2023./Dnevnik.hr

Përgatiti” Nuhi Shala