Nis në Prishtinë ‘Panairi i Botimeve Albanologjike 2022’ 

Në Institutin Albanologjik në Prishtinë ka nisur edicioni i parë i “Panairit të Botimeve Albanologjike”. 

Organizimi i këtij panairi vjen si rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të tri qendrave albanologjike: Instituti Albanologjik në Prishtinë (IAP), Akademia e Studimeve Albanologjike në Tiranë (ASA) dhe Instituti i Trashëgim Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH).   

Naim Berisha, shef i Degës së Gjuhësisë në IAP tha për KALLXO.com se gjatë këtij panairi dy-ditor do të bëhet prezantimi i botimeve nga këto tri institucione. 

Njëkohësisht, sipas tij, do të bëhet edhe promovimi i disa botimeve.  

Berisha tha se panairi do të jetë tradicional dhe vitin tjetër do të mbahet në Shkup. 

“Panairi do të jetë tradicional, vitin e ardhshëm do të organizohet në Shkup, ndërsa vitin pasues në Tiranë. Pra, do të jetë aktivitet tradicional që përsëritet të këtë formë”-tha Berisha. 

Sipas tij në kuadër të marrëveshje që kanë IAP, ITShKSh dhe ASA hyn edhe Konferencën mbarëkombëtare shkencore, “Një Komb një gjuhë”, kushtuar 50-vjetorit të Kongresit të drejtshkrimit. 

“Konferenca do t’i zhvillojë punimet në tri seanca, në Shkup më 22 nëntor 2022, në Prishtinë më 23 nëntor 2022 dhe në Tiranë më 24 nëntor 2022”- ka shtuar Naim Berisha, shef i Degës së Gjuhësisë në IAP. 

Panairit të Botimeve Albanologjike do të vazhdojë edhe nesër me prezantimin dhe promovimin e botimeve albanologjik.