Çeku e quan krim djegien e objektit të ish-Gjimnazi të Ferizajt

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe sportit, Hajrulla Çeku ka reaguar pas njoftimit për djegien e Gjimnazit të vjetër “Ismail Qemali’ në Ferizaj.

Përmes një postimi në Facebook, ministri Çeku ka lënë të kuptohet se objektit i është vënë flaka me qëllim dhe se përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë.

“Kontratën për restaurimin e gjimnazit të vjetër e patëm nënshkruar javën e kaluar. Dje kanë nisur punimet, ndërsa sot në orët e para të mëngjesit ia vunë flakën. Ky është krim. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë. Gjimnazi i vjetër “Ismail Qemali’ në Ferizaj do të restaurohet, i pëlqeu apo jo keqbërësve. Trashëgimia jonë kulturore është më e rëndësishme se interesat tuaja të ngushta. Metodat e porositë mafioze nuk na ndalin”- ka shkruar ministri Çeku në Facebook.

Komuna e Ferizajt ka bërë të ditur se mëngjesin e sotëm objekti i ish-gjimnazit është përfshirë nga një zjarr i madh, i cili ka ka shkaktuar dëme të mëdha në gjithë objektin.

“Ky objekt përfaqëson vlerë të trashëgimisë kulturore të Ferizajt, andaj Komuna e Ferizajt me gjithë kapacitetin e saj e kompetencën ligjore, do ta mbroj këtë objekt për t’ ja ofruar publikut, pas punës restauruese që do të ndodh në këtë objekt”- thuhet në njoftimin e Komunës së Ferizajt.

Një ditë më parë, me fonde të MKRS-së ka nisur restaurimi i këtij objekti.