Artistja ukrainase shfaq ekspozitën e saj në kuadër të 'Reporting House' në Prishtinë - FOTO

Në kuadër të hapjes së ekspozitës “Reporting  House” në objektin e ish-Gërmisë në Prishtinë më 10.06.2024, artistja ukrainase, Zhanna Kadyrova do paraqesë ekspozitën e saj “Palianytsia” që simbolizon rezistencën e popullit nga agresioni i Rusisë në vendin e saj.

Përmes kësaj ekspozite artistja ka për qëllim të rris fondet për viktimat e luftës në Ukrainë.

Përmes një deklarimi, artistja Kadyrova potencon se fjala “Palianytsia” do të thotë bukë. Kuptimi klasik i kësaj fjale nënkupton bukë e madhe e rrumbullakët e pjekur në furrë.

Sipas artistes, në fillimin e luftës që Rusia nisi në Ukrainë, fjala “Palianytsia” u bë symbol, pasi rusët nuk mund ta theksojnë si duhet.

“U bë symbol i dallimit mes shokut dhe armikut”.

Me anë të kësaj ekspozite, sipas saj, synohet të pasqyrohet jeta në sirena alarmi, ajo cfarë njerëzit e zakonshëm në Ukrainë kanë dëgjuar tash e një kohë të gjatë, pra jeta nën bomba e njerëz që thjesht duan të jetojnë në vendin e tyre.

Projekti ishte ispiruar nga rajoni jugperëndimor i Ukrainës ku artistja tani edhe jeton.

“Fshatrat aty janë të mbrojtura nga malet Karpate ku po ashtu ka mjaft ujë, dhe nuk ka baza ushtarake, gjë që banorët i bënë të ndihen të sigurtë”- është shprehur artistja.

Përreth zonës, Kadyrova thotë se kishte shumë gurë gjë që edhe u kishte dhënë idenë për ekspozitën ku pas disa ditësh kërkimi nëpër zonë kishin gjetur një shtëpi dhe bashkë me pronarët, organizuan gjithçka nga zeroja, pasi aty mungonin shumë gjëra elementare, përfshirë edhe energjinë elektrike.

Kadyrova kishte mbledhur gurë të rrumbullakët përreth lumit dhe i kishte ndarë në formë të bukës për t’i ngjarë “Palianytsias’”, e më pas u paraqit si simbol rezistence.

Lufta e Rusisë në Ukrainë nisi në shkurt të vitit 2022.

Ky projet i cili është punuar nga artistja Zhana Kadyrova në bashkëpunim me Denis Ruban dhe Ivan Sautkin do hapet si ekspozitë në tri lokacione në Prishtinë në objektin e ish-Gërmisë, Hamamin e Qytetit dhe Paper Gallery.

Kadyrova ka marrë pjesë në shumë ekspozita ndërkombëtare, përfshirë Bienalen e Venecias, në Japoni, Gjermani etj.

E prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, ekspozita “Reporting House” prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Ekspozita i ofron publikut vendor dhe vizitorëve të huaj një pasqyrim të hollësishëm të luftës europiane që përmbylli shekullin e 20-të.

Kjo ekspozitë, sipas njoftimit, shpalos draftin e parë të kësaj historie të shkruar nga gazetarët dhe demonstron rolin qendror që e ka luajtur media krahas interpretimeve artistike të mëvonshme të kësaj historie.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në mes të shtatorit 2024.

Më 10 qershor në Prishtinë lansohet ekspozita ‘REPORTING HOUSE’