array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=5"
  }
}

Rrena se ish-drejtori i KPMM-së, Ramiz Krasniqi ka fituar 10 mijë euro nga investimet në Bitcoin

Deklarata

Sapo investova 1000 € dhe mora 11,000 € brenda pak orësh nga tregtimi me mentorin tim Aaliyah Rising

Faqet në Facebook

Vlerësimi

Rrenë e kryptë

Postimi “Miqtë e mi të dashur, ju të gjithë po e shihni këtë mundësi të mrekullueshme që po ndaj me ju djema tani, kjo është në të vërtetë e mahnitshme dhe e mrekullueshme, sapo investova 1000 € dhe mora 11,000 € brenda pak orësh nga tregtimi me mentorin tim Aaliyah Rising, ju Djemtë duhet gjithashtu të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të më falënderojnë më vonë!!!” është i rremë. Ramiz Krasniqi, ish-drejtor i Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, ka thënë se nuk i ka fituar 10 mijë euro, si pretendohet në postim. Krasniqi për Krypometër ka thënë se ka qenë viktimë e një mashtrimi në internet dhe iu ka hakuar profili i tij në Facebook. Ai këtë e ka dëshmuar përmes mesazheve që ka pranuar në WatsApp që i kanë mundësuar mashtruesve të kenë qasje në profilin e Ramiz Krasniqit në Facebook. 

Artikulli

Më 29.03.2024, në llogarinë në rrjetin social “Facebook” të gjeologut Ramiz Krasniqi është publikuar një informacion [arkiva] se kinse pas një investimi në internet ka arritur të shumëfishojë këtë vlerë.

“Miqtë e mi të dashur, ju të gjithë po e shihni këtë mundësi të mrekullueshme që po ndaj me ju djema tani, kjo është në të vërtetë e mahnitshme dhe e mrekullueshme, sapo investova 1000 € dhe mora 11,000 € brenda pak orësh nga tregtimi me mentorin tim Aaliyah Rising, ju Djemtë duhet gjithashtu të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të më falënderojnë më vonë!!!”- thuhet në postimin e publikuar në llogarinë e Ramiz Krasniqit.

Në këtë postim janë bashkangjitur edhe disa fotografi si “dëshmi” të këtij transferimi.

Krypometri ka kontaktuar Krasniqin për të verifikuar nëse kjo përmbajtje është e vërtetë.

Krasniqi për Krypometër ka thënë se nuk i ka investuar 1,000 euro si pretendohet në këtë postim dhe as nuk ka fituar para të tjera nga ndonjë investim.

Krasniqi thotë se ka qenë cak i një mashtrimi në këtë rrjet social dhe se llogaria e tij është hakuar.

“Dje një shok në Facebook, mu ka lutë që kur të më vjen një kod në WhatsApp me ia përcjellë për arsye se ai po dëshiron më punu me një kompani ndërkombëtare online dhe që është pagesa shumë e mirë. Unë kam menduar që ai është koleg i studimeve, që është xehtar, i kam besu, nuk kam mendu shumë edhe ia kam dërgu kodin që më ka ardhë në “Whatsapp”. Pastaj, më shkruajti përsëri në “Facebook” më tha “a mundesh me bë një video edhe më thanë që përcjellja e kodit është e ligjshme”, pastaj e kuptova që kjo nuk është serioze dhe nuk e pranova kërkesën e tij dhe e kam bllokuar e fshirë nga lista e shokëve në Facebook”- ka thënë ish-drejtori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. 

Ai thotë se pas komunikimit që e kishte një ditë më herët, vetëm sot e ka parë që në profilin e tij në Facebook është bërë një postim për investime.

“Sot e kam pa që më është blloku Facebook-u, nuk kam mujtë me u qasë. Filluan pastaj me m’njoftu familjarët e kolegët se dikush ka postu diçka. Fotografitë “screenshot” kinse të bisedave nuk janë biseda të mia, vetëm fotografia është e imja, e kanë marrë në Facebook edhe kanë shpërnda kinse kam bisedu unë, edhe normalisht nuk kam fitu kurrgja, vetëm mashtrim”- ka thënë Krasniqi për Krypometër. 

Eksperti i rrjeteve sociale dhe sigurisë kibernetike, Granit Mavriqi ka treguar mënyrën se si njerëzit bien pre e mashtrimeve.

“Vjedhjet e llogarive në rrjetet sociale kryesisht ndodhin kur viktimat klikojnë në linqe të cilat janë linqe mashtruese (Phishing). Viktimat këto linqe i pranojnë kryesisht në e-mail dhe/ose direkt në inboxin e rrjetit social. Në këto linqe mashtruesit pretendojnë se janë nga kompanitë e rrjeteve sociale dhe kërkohet që t’ua dërgoni të dhënat e juaja si: e-Mailin, fjalëkalimin, etj, në momentin që viktima i plotëson këto të dhëna, mashtruesit arrijnë që të vjedhin llogarinë e viktimës”- ka shpjeguar Mavriqi.  

Ai thotë se një mënyrë e re për vjedhje të fjalëkalimeve është edhe përmes kodeve apo fajllave që i pranon një person në telefonin e tij në rast se dikush tenton me ia ndryshu fjalëkalimin.

“Mashtruesit përmes një profili të rremë i kontaktojnë qindra persona dhe kërkojnë nga ta që të ju ndihmojnë në ndonjë konkurs ose diçka të ngjashme, kinse duke votuar për ta. Në momentin që viktima shpreh interesim për t’i ndihmuar dhe pyet se si të votojë, mashtruesit në emër të viktimës kërkojnë nga rrjeti social që viktimës t’i dërgohet kodi i cili shërben për të ndryshuar fjalëkalimin, në rast se e keni harruar fjalëkalimin e vjetër dhe pastaj i thonë viktimës që ‘t’ua dërgojë një kod që e pranojnë sepse përmes këtij kodi mund të votohet’, por në fakt me marrjen dhe hapjen e këtij kodi mashtruesit tani janë në gjendje që të ndryshojnë fjalëkalimin në emër të viktimës dhe përmes këtij mashtrimi arrijnë të vjedhin llogarinë”- ka thënë Mavriqi.

Sipas tij, mashtruesit i shfrytëzojnë këto llogari të vjedhura për të shpërndarë reklama dhe mashtrime tjera, kryesisht për përfitime financiare.

“Mesazhe të tilla në rrjete sociale mund të pranoni edhe nga personat të cilët i njihni edhe në jetën reale sepse mashtruesit pasi që të vjedhin llogarinë e një personi, ata e përdorin të njëjtin mashtrim, por tani i kontaktojnë miqtë e viktimës nga rrjeti social i viktimës, në këtë mënyrë ky mashtrim bëhet edhe më i besueshëm për viktima të reja”- ka thënë Mavriqi.

Ramiz Krasniqi ka mbajtur dhe vazhdon të ketë pozita të rëndësishme në një prej institucioneve të Kosovës, Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale të Kosovës (KPMM).  

Krasniqi ka qenë drejtor i Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, institucion që ka kompetencën për lëshimin, transferimin, vazhdimin, pezullimin dhe revokimin e Licencave dhe Lejeve për miniera dhe minerale. Ai është gjeolog për agregate në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale të Kosovës (KPMM).  

Krasniqi ka qenë po ashtu anëtar i bordit në këtë komision, KPMM.