array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Deklarata për Gjykatën Speciale që rrejshëm i mveshet Kadri Veselit 

Deklarata

Unë e kam votuar Gjykatën Speciale; ama krejt fajet i ka VV

Faqet në Facebook

Vlerësimi

Rrenë

Është i rremë mbishkimi “Unë e kam votuar Gjykatën Speciale; ama krejt fajet i ka VV” i vendosur në fotografinë e ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Veseli asnjëherë nuk e ka thënë një deklaratë të tillë, gjë që konfirmohet nga përgjigja e ish-këshilltarit të tij, Shkelzen Dragaj. Krypometër ka gjetur edhe deklaratën e Veselit të bërë në Kuvendin e Kosovës, në ditën kur janë votuar ndryshimet kushtetuese që mundësuan formimin e Gjykatës Speciale.

Artikulli

Më 07.06.2024, një profil në Facebook ka publikuar (arkiva) një fotografi në të cilën shihen ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Kryeministri, Albin Kurti.

Në pjesën e Veselit shkruan “unë e kam votuar Gjykatën Speciale; ama krejt fajet i ka VV.”

Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër ka kontaktuar me ish këshilltarin politik të Kadri Veselit, Shkelzen Dragaj, i cili ka thënë se kjo deklaratë nuk është thënë nga Veseli.

“Themelimi i Dhomave të Specializuara është votuar në Parlamentin e Kosovës. Zoti Veseli asnjëherë nuk e ka thënë një gjë të tillë, pra se kush është fajtor për votën pro, apo edhe për zhvillimet e tjera rreth Gjykatës Speciale. Kjo deklaratë nuk qëndron dhe s’është thënë asnjëherë nga Kadri Veseli”- tha Dragaj për Krypometër.

Deputetët e parlamentit të Kosovës më 03.08.2015, me shumicë votash kishin votuar ndryshimet kushtetuese, që mundësonin themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte që bazën do ta kishte në Hagë.

Partia Demokratike e Kosovës, një parti politike e themeluar nga lidershipi i UÇK-së, që kryesohej nga Hashim Thaçi e ka mbështetur formimin e kësaj gjykate.

PDK-ja ka argumentuar se gjykata e re është një mundësi e mirë për të pohuar edhe një herë “pastërtinë” e luftës çlirimtare të UÇK-së dhe për të përmirësuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

Për të parë qëndrimin që kishte Veseli në ditën e votimit në Kuvend, Krypometër ka gjetur transkriptin e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur më 03.08.2015 në të cilën u votuan ndryshimet kushtetuese që mundësuan themelimin e Gjykatës Speciale.

Veseli e kishte mbështetur themelimin e Gjykatës Speciale.

“Në qoftë se mendon dikush se do t’i ndihmojmë bashkëluftëtarët tonë, se do ta evitojmë gjykimin as unë s’e kisha votuar. Por, jam i i bindur 100% se jo veç që s’kemi për t’i ndihmuar atyre të cilët kanë me u akuzuar, por kanë për tu akuzuar edhe më shumë të tjerë, ka për tu dëmtuar edhe shteti i Kosovës përmes ri aktualizimit 12/44. Andaj gjykoni edhe vetë cila është e mira, cila e mira e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, cila është e mira e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe e cila është kauza jonë e drejtë. Na duhet t’i votojmë, të mendojmë edhe jashtë si emocioni individuale”- kishte thënë Veseli në seancën e mbajtur më 03.08.2016 (shih fjalimin e Veselit në faqe 102).

Krypometri ka kërkuar një përgjigje nga ekipi i Veselit për ta verifikuar këtë pretendim.

Kundërshtarët e Gjykatës Speciale 

Kundër themelimit të Gjykatës Speciale ishin tri partitë politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën.

Veseli në vitin 2018, kur edhe u iniciua një nismë për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, kishte thënë se ndonëse është e dëmshme për Kosovën ajo do të ndodhë.

Ndër tjerash, Veseli kishte thënë se tentativa për rrëzimin e këtij ligji do t’i keqësonte marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në dhe partnerët ndërkombëtar.

“Është një padrejtësi që po bëhet në emër të drejtësisë, të cilin shteti kosovar nuk ka fuqi ta ndalojë. Institucionet duhet të përgatiten në mënyrë që dëmet ndaj shtetit nga kjo gjykatë të jenë minimale”- kishte thënë Veseli.

Kadri Veseli ishte një nga liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai bashkë me Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, si të akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.