Planin zhvillimor të Komunës së Prishtinës, arkitekti e quan projekt “shkel e shko”

 

 

Komuna e Prishtinës ka hapur thirrjen publike për skenarët zhvillimor urban dhe hartën zonale.

Ky plan përfshinë zhvillimin e zonave urbane dhe rurale, për një periudhë së paku 8 vjeçare.

Në thirrjen e publikuar të komunës janë prezantuar tre skenarë.

Mirëpo kjo thirrje po shihet si mashtrim nga ana e Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës.

Valdet Osmani, nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës e ka quajtur këtë plan zhvillimor të prezantuar nga Komuna si të kundërligjshëm.

“Si problemi kryesor që e kemi theksuar edhe më herët është se ky Plan Zhvillimor është i kundërligjshëm ku është e përfshirë edhe Ministria si shkallë e dytë që nuk do duhej të ishte. Ministria ka ofruar një firmë konsulence për të ndihmuar komunën e Prishtinës ta hartojë Planin Zhvillimor Komunal, ky është konflikt interesi dhe e kundërligjshme. Në aspektin profesional nuk ka kurrfarë baze madje as ligjore”, ka thënë Osmani për KALLXO.com.

Këtë proces ai po e quan “shkel e shko”, për shkak se të dhënat e ofruar në këtë plan janë të pakta dhe se 15 ditë të ofruara për diskutim nuk janë të mjaftueshme.

“Nga vetë fakti që ligji e kërkon një hulumtim detajues të një plani zhvillimor tregon se komuna këtë po e kryen shkel e shko. Marrë parasysh që jemi në pandemi, komuna e organizon një debat me minimum të dhëna dhe nuk e ofron atë në pako digjitale ku qytetarët të mund të japin komente. Këta kanë lënë afat 15 ditë për diskutim në kohë pandemie ku edhe nuk mund të ketë grumbullim. Më këtë afat është bërë e pamundur që qytetarët të diskutojnë për këtë plan dhe të ardhmen e tyre”, potencoi tutje ai.

Arkitekti Osmani se planet e tilla si ky i Komunës duhet të diskutohet në 40 vende të ndryshme, në mënyrë që të merren sa më shumë komente.

“Harta dhe projekte të tilla duhet të diskutohen në çdo lagje, pra nëse bënë debat publik duhet të bësh në 40 vende që edhe të tjerët të kenë mundësi për komentim. Madje edhe nëpër zona rurale që të ketë informim se çka do ndodhë me ta në vitet e ardhshme. Pra, e gjitha kjo është një skenar për manipulim dhe degradim të mëtejshëm të Prishtinës, pasi edhe sipas situatës politike këta i kanë edhe dy muaj mandat dhe duan që shpejt ta marrin në qafë një kryeqytet duke ikur”, tha ai.

Ai thotë se këtë plan nuk duhet ta bëjë qeverisja e Shpend Ahmeti meqë është në fund të mandatit, por se kjo duhet t’i lihet qeverisë së re.

Sipas tij, qeveria e re në Prishtinë duhet ta hartojë këtë plan e jo kjo në ikje.

“Propozimi jonë është që kushdo që vjen në qeverisjen e ardhshme, ta marrin si projektin e parë, ta hartojnë dhe miratojnë Planin Zhvillimor Komunal e jo t’i lihet kësaj në ikje të tregojë të ardhmen e qytetarëve”, theksoi Osmani.

Genc Bashota, drejtori për Planifikim Strategjik në komunën e Prishtinë thotë se përveç 15 ditëve të para për diskutim, do të jenë edhe 30 ditë të tjera ku mund të ofrohen komente.

“Skenarët u janë prezantuar publikut për 15 ditë dhe më pas do të organizohet shqyrtimi publik edhe për 30 ditë të tjera. Skenarët e printuar në formatin A0 janë të paraqitura në objektin e komunës, me ç’rast kemi një fluks të madh të qytetarëve të cilët çdo ditë vijnë për tu njoftuar me to”, tha ai.