Lipjan, nis projekti mbi 6 milionë euro për ndërtimin e nënkalimit, sheshit, parkut e parkingut nëntokësor

Komuna e Lipjanit ka bërë të ditur se sot kanë nisur punimet në projektin me vlerë 6 milionë euro, që përfshinë katër projekte, ndërtimi i nënkalimit, ndërtimi i sheshit, parkut qendror dhe parkingut nëntokësor.

I pari i kësaj komune, Imri Ahmeti (LDK) është shprehur se ky projekt do ta transformojë qytetin e Lipjanit.

“Është një ndër projektet më madhore të qytetit të Lipjanit që besoj që do të ja ndërroj pamjen tërësisht qytetit. Ne kemi identifikuar nevojën e madhe të parkingut, nevojën e madhe të parkut, pastaj integrimin e sheshit dhe zgjidhjen e problemeve të trafikut. Janë katër projekte të integruar në një projekt”, ka thënë Ahmeti.

Projekti pritet të zgjasë 3 vjet.

“Është një projekt që do të zgjedh njëkohësisht të gjitha problemet që kanë të bëjë me parkingun, do të ketë parkun qendror të qytetit por edhe vazhdimin e sheshit”, ka thënë ndër të tjera kryetari i komunës.