Objektet familjare për personat me aftësi të kufizuar
Të gjithë njerëzit, pavarësisht nga aftësitë e tyre fizike, kanë të drejtën të marrin pjesë plotësisht në jetën publike dhe private. Qasja e barabartë siguron që personat me aftësi të kufizuar të mund të përdorin të njëjtat shërbime dhe të kenë të njëjtat mundësi si të tjerët.
Por, si rezultat i projektimit të objekteve publike jo sipas standardeve, shumë institucione publike janë detyruar që të intervenojnë më vonë në infrastrukturë të objekteve, për të plotësuar kërkesat apo nevojat e personave me aftësi të kufizuar.
Projektimi i objekteve sipas standardeve ka dëshmuar se shmang nevojën që të intervenohet më vonë në ato objekte dhe rrjedhimisht shmang shpenzimet e tepërta dhe të paplanifikuara.
Në disa komuna të Kosovës po aplikohet kjo praktikë e mirë e projektimit të objekteve publike sipas standardeve.
“Projekti model” – Objekti i Administratës së Komunës së Lipjanit
Një projekt model që është planifikuar nga fillimi për t’i ofruar qasje personave me aftësi të kufizuar dhe për të mos i diskriminuar ata, është objekti i ri i Administratës së Komunës së Lipjanit.
Ky objekt i përuruar në nëntor të vitit 2022, ofron qasje në secilin kat të ndërtesës për personat me karroca dhe secili kat i objektit trekatësh e ka po ashtu nga një banjo të dedikuar për personat me aftësi të kufizuar.
Në hyrje të objektit të Administratës komunale është vendosur një printer që e ka të instaluar alfabetin e Brajlit. Edhe ashensori i këtij objekti e ka të instaluar alfabetin e Brajlit.
Diamant Bytyqi, nënkryetar i Komunës së Lipjanit, për KALLXO.com ka thënë se objekti i vjetër nuk i ofronte kushtet e mira për administratën, qytetarët, e sidomos për personat me aftësi të kufizuar.
“Objekti i vjetër ka qenë i ndërtuar shumë kohë më parë, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, edhe sigurisht që vjetërsia nuk i ka ofruar kushtet e mira edhe për administratën, por edhe për kategoritë që dojnë me kry shërbime në katet e sipërme ose edhe nevojat që kanë kjo kategori” – ka thënë Bytyqi.
“Tashmë në objektin e ri është një transformim komplet ndryshe nga objekti që ka qenë. Është një objekt që punojnë me zyre të hapura i gjithë stafi i komunës, por edhe brenda kësaj plotësohen edhe kriteret dhe kushtet që janë të nevojshme për kategorinë për personat me aftësi të kufizuar që të kërkojnë shërbime duke filluar prej administratës poshtë, edhe pastaj ku kanë punë në secilën drejtori, kanë qasje të lehtë për me e kry shërbimin që ata dojnë”.
Afrim Mena nga organizata “Handikos” në Lipjan, ka thënë se në përgjithësi anëtarët e kësaj organizate janë ndarë të kënaqur me objektin e ri të Komunës së Lipjanit, pasi sipas tij u është lehtësuar dukshëm qasja në shërbime komunale.
“Shumë mirë e kemi pritur të gjithë anëtarët që i kemi me aftësi të kufizuara, sepse aty është edhe printeri Brajl, qasja është e mirë në çdo kat. Është lehtësuar edhe qasja në shërbime komunale” – ka thënë Mena.
Personat e verbër e kanë mundësi që të lexojnë çfarëdo vendimi apo dokumenti në hyrje të objektit, pasi aty është vendosur një printer me alfabet të Brajlit, i cili është bashkëfinancim me organizatën People in Need (PIN).
Nënkryetari Bytyqi thotë se edhe pse nuk kanë pasur shumë kërkesa për këtë shërbim, megjithatë Komuna e Lipjanit e ka mundësuar.
“Realisht nuk kemi pasur shumë kërkesa, pasi që kjo kategori është e vogël në komunën tonë, mirëpo ne e kemi ofru si shërbim si qasje për kategori, qasje e avancuar që me pasë plotësim të shërbimit edhe për kategori. Çdo herë këtu në administratën komunale është një zyrtar që i asiston dhe i ndihmon në printim të vendimit, certifikatës ose çfarëdo ata e kërkojnë. Nuk ka qenë shumë kërkesë, mirëpo e kemi ofru si shërbim për këtë kategori” – ka thënë Bytyqi për KALLXO.com.
Sipas databazës së organizatës “Handikos”, në Lipjan janë 1 mijë persona me aftësi të kufizuar.
Projekti për ndërtimin e objektit të ri të Administratës së Komunës së Lipjanit ka kushtuar 1.7 milion euro. Për ndërtimin e tij, kontrata është nënshkruar në nëntor të vitit 2019 me kompaninë “Olti Trasing SH.P.K” dhe i njëjti është përuruar më 28.11.2022.
QMF-të sipas standardeve në Suharekë
Një tjetër komunë që ka projektuar objekte publike sipas standardeve dhe të cilat janë familjare për personat me aftësi të kufizuar, është edhe ajo e Suharekës.
Kjo komunë që udhëhiqet nga Bali Muharremaj, ka dy vite që ka angazhuar një kompani private, që për çdo projekt publik, të hartohet edhe një projekt ideor. Një sistem i tillë është duke u aplikuar në objektet e Qendrave së Mjekësisë Familjare në fshatrat Duhël, Studenqan dhe Mushtisht.
Në fshatin Mushtisht objekti ka përfunduar dhe është funksionalizuar, ndërsa në Duhël dhe Studenqan është shumë afër finalizimit, pasi që ka mbetur vetëm edhe pjesa e invertarit.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, thotë se secili projekt ka kushtuar nga rreth 200 mijë euro dhe të tre objektet janë financuar me buxhetin e Komunës së Suharekës.
Objekti i QMF-së në Duhël është dy kate, njëjtë si në Mushtisht dhe Studenqan. Objekti të cilin e ka vizituar ekipi i KALLXO.com në Duhël, ka pjerrina dhe ashensor të cilat ua lehtësojnë qasjen në objektin e QMF-së. Po ashtu, ky objekt ka edhe një banjo të veçantë për personat me aftësi të kufizuar.
“Është e paraparë lavaman me qenë më poshtë në këtë rast, sipas standardeve. Këto janë vetëm për personat me aftësi të kufizuar, në pjesën tjetër është banjot e femrave dhe të meshkujve, gjithashtu sipas standardit” – ka thënë kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj.
Për secilin prej këtyre projekteve, i pari i Suharekës thotë se janë zbatuar të gjitha standardet e parapara, e sidomos për personat me aftësi të kufizuar, duke filluar nga pjerrinat, e deri tek ashensori dhe banjot.
Ai ka bërë të ditur se për këtë qëllim është angazhuar kompania private.
“E kemi një kompani të angazhuar, pasi që kemi një numër të vogël të punëtorëve të Komunës, punët në teren janë rritur. Investimet kapitale janë shtu shumë, e kemi të pamundur edhe me i menaxhu edhe me bo projekte. Duhet me e pasë një ekip të veçantë për projekte, kështu që kemi një kompani që ka fituar tenderin dhe bën projekte. Kohën e fundit kemi startu që çdo punë që kryhet në Komunën e Suharekës, qoftë edhe një rrugë 100 metra, ka me u bo me projekt” – ka thënë kryetari Muharremaj.
Kështu, Suhareka dhe Lipjani janë dy komuna që kanë ndërtuar objekte që mund të shërbejnë si model për komunat dhe institucionet e tjera, që ndërtimi i tyre sipas standardeve të shmangë nevojën që në të ardhmen të ndërhyhet përsëri në to, të kursejë buxhetin për shpenzime të paplanifikuara si dhe të mosdiskriminojë qytetarët me aftësi të kufizuar.
Sipas një hulumtimi të organizatës Internews Kosova, institucionet publike dhe private vazhdojnë të kenë mangësi të theksuara infrastrukturore sa i përket krijimit të qasjes së barabartë për personat me aftësi të kufizuar.
Edhe pse shumë objekte publike janë të ndërtuara pas luftës apo të renovuara, ato e kalojnë pranimin teknik pa i përmbushur të gjitha kushtet ligjore për krijimin e qasjes së barabartë për personat me aftësi të kufizuar.
Në Komunën e Rahovecit në vitin 2021 përmes një projekti në vlerë 71,569 euro është ndërhyrë në projekte infrastrukturore të realizuara më herët, për t’i bërë ato të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuar.
Në këtë projekt është paraparë ndërtimi i infrastrukturës për persona me aftësi të kufizuar në Rahovec, Xërxë, Fortesë, Krushë e Madhe, Celinë, Hoqë e Vogël, Opterushë, Malësi e Vogël, Ratkoc, Dejn dhe Qifllak.
Ky artikull është përgatitur nga BIRN-i përmes mbështetjes nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.