Grumbuj të mbeturinave afër gjimnazit "Ahmet Gashi" në Prishtinë, komuna jep detaje (FOTO)

Mbeturina të shumta janë lënë të ekspozuara në afërsi të gjimnazit “Ahmeti Gashi”, në zonën e vjetër të qytetit në Prishtinë.

Në disa fotografi të siguruara nga KALLXO.com shihet se mbeturinat janë të hedhura jashtë rrethojës së shkollës, në oborrin e një shtëpie të pabanuar dhe gjysmë të rrënuar.

Lidhur me këtë, kompania “Pastrimi” ka deklaruar se kanë përgjegjësi të pastrojnë vetëm kontejnerët e jo pronat tjera.

“Ne pastrojmë vetëm kontejnerët tonë dhe zonën përreth tyre nëse bien mbeturinat. Vendet tjera ku hidhen mbeturina si prona publike apo private nuk janë kompetencë e jona. Besojmë që komuna ka edhe operatorë të tjerë”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Pastrimi”.

Kurse, Dukagjin Gashi, shef i sektorit për menaxhim të mbeturinave në Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinë ka deklaruar për KALLXO.com se mbeturinat në prona private duhet të largohen nga pronari.

Ai shtoi se këtë problem e ka adresuar edhe tek zyrtarët e pastrimit për të parë mundësinë e largimit të tyre.

“Në hapësira private është përgjegjësi e vet pronarit të largojë mbeturinat. Megjithatë rastin e kam dërguar tek zyrtarët në mbikëqyrje të pastrimit t’i shohin mundësitë”, ka thënë Gashi.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.