Aksidenti i automjetit ushtarak në Kanada raportohet se ndodhi në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë

Më 24.03.2024 faqja “Mtrks25” (Arkiva) në “Tik-Tok” publikoi një video, ku shihet një automjet ushtarak i rrokullisur në një rrugë të asfaltuar.

Videoja kishte një përshkrim, ku thuhet: “Diçka e rrezikshme do të ndodhë, ku n’kufi me Serbinë ka probleme mes Njesitit Special dhe atij serb. Turqia dhe Suedia japin alarmin për ndihmë Kosovës”.

Materiali doli të jetë i falsifikuar pasi pamjet nuk ishin filmuar as në Kosovë e as në Serbi.

KALLXO.com verifikoi se videon e publikuar nga faqja në “Tik-Tok” “Mtrks25” është marrë nga një publikim i marsit 2024 në faqen “Trltza” dhe aksidenti ka ndodhur në Kanada, duke njoftuar për një aksident në autostradën 41E, pa viktima.

Fotografi të aksidentit ka publikuar në rrjetin social “X” edhe Divizioni për Siguri në Autostrada të Kanadasë më 20.03.2024.

“Rrotullimi i një automjeti, pa lëndime. Dy korsi majtas të bllokuara, pastrimi në vazhdim e sipër, pritet që të gjitha korsitë të rihapen së shpejti” – thuhet në njoftimin e Divizionit për Autostrada të Kanadasë.

Kjo vërtetohet edhe në tabelat e automjetit ushtarak të rrokullisur, si në videon e publikuar nga faqja në “Tik-Tok” “Mtrks25” ashtu edhe nga Divizioni për Autostrada të Kanadasë, të cilat janë të njëjta.

Përpos publikimit në video, KALLXO.com ka kërkuar informacione edhe nga Ambasada e Suedisë në Kosovë.

Ndërsa, në një përgjigje për Krypometër, Ambasada e Suedisë në Kosovë e ka mohuar se ka bërë thirrje për ndihmë ndaj Kosovës.

“Ne nuk kemi publikuar asnjë paralajmërim të këtij lloji” – deklaroi për KALLXO.com Henrik Riby, zëvëndësshef në misionin diplomatik në Kosovë.

Deri në publikimin e këtij informacioni Ambasada Turke në Kosovë nuk ka ofruar sqarime mirëpo në kontrollimin e faqeve zyrtare të Qeverisë turke Kallxo.com nuk ka gjetur ndonjë paralajmërim nga autoritetet turke.