Konvojet me ndihma humanitare në Goutan Lindore - Foto: REL/AFP

Kamionët me Ndihma Hyjnë në Goutan Lindore

Kamionët me ndihma kanë hyrë në enklavën siriane të Goutas Lindore, për herë të parë që prej mesit të muajit shkurt.

“Mijëra njerëz kanë nevojë për ndihma. Sot, 46 kamionë me ndihma, do të ofrojnë pak lehtësim”, ka shkruar Kryqi i Kuq në “Twitter”.

“Në ndihma përfshihen edhe ushqime për 27,500 njerëz, thasë me miell dhe ndihma mjekësore”, ka shkruar tutje Kryqi i Kuq.

Megjithatë, zyra për ndihmë humanitare e Kombeve të Bashkuara ka thënë se Qeveria siriane nuk ka lejuar që 70 për qind e ndihmave mjekësore të dërgohen dhe nuk do të lejojë që ato ndihma të zëvendësohen me ndihma të tjera.

Dhuna në Goutan Lindore, rajon ku rreth 393 mijë njerëz janë rrethuar, ka lënë mbi 600 civilë të vrarë, që prej se forcat qeveritare dhe aleatët e tyre kanë nisur bombardimet më 18 shkurt, thonë aktivistët.

Bombardimet në enklavën e rrethuar kanë lënë të vrarë të paktën 45 civilë më 5 mars. (REL)

05 Mars 2018 - 18:51

REL 05/03/2018 - 18:51
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend