Strategjia qeveritare kundër dhunës në familje, mospajtime mes Demolli-Bala

Strategjia qeveritare kundër dhunës në familje dhe vrasjes ndaj grave, ka shfaqur mospajtime në mes të zyrtares së Ministrisë së Drejtësisë, Nazlie Bala dhe Luljeta Demollit nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, Luljeta Demolli (QKSGJ) ka thënë se sa i përket dhunës në familje, qeveria e ka vë në prioritet më shumë në mënyrë deklarative.

“E tha Nazlija që Qeveria e ka vendosur në prioritet dhunën në familje, por unë do të thoja që e ka vendosur më shumë në mënyrë deklarative” – tha Demolli.

Për këtë deklaratë të Demollit ka reaguar Nazlie Bala (MD) duke thënë se nëse në këto 23 vjet ka pasur punë konkrete në adresimin e dhunës në familje, “janë pikërisht këto dy vitet e fundit”.

“Pra në momentin kur është hartuar strategjia. Nuk mund të pajtohem me dezinformatë. Ka dallim shumë të madh mes punëve që janë bërë më herët me këto tash që është konkrete. Ne duhet ta flasim të vërteten por mos të fillojmë me kritika të pavenda. Strategjia ka kostim”- tha Bala.

Ndërsa Demolli tha se kostimi me buxhetim ka dallim.

“Mund të kostojmë dokumente çdo ditë dhe kemi pasur aso iniciative por sa i ndahet më pastaj buxhet i shtetit, na e kemi parë buxhetin unë thash nuk është mjaftueshëm e buxhetuar. Strategjia duhet të ndërlidhet me prioritetin që e keni vendos. E kam thënë që strategjia është dinamike, thash që kur vendoset në prioritet kryesor unë pres veprime më konkrete”, – tha Demolli.

Ajo ka deklaruar se prioritet i parë për tu ndalur dhuna ndaj grave është largimi i armëve nëpër familjet kosovare.

“Cili është veprimi konkret i Qeverisë për ti larguar armët nga duart e kosovarëve?, a ka një masë që shteti e ka marr për ti larguar këto armë sepse gratë po vriten nga këto armë dhe Kosova prin me një numër të madh të armëve nëpër familjet tona. Prioritet tjetër që do të duhej të ishte është pikërisht që femicidi të jetë në nivel të emergjencës kombëtare”- tha tutje ajo.