Ekspozita e Jakup Ferrit, GKK. Foto: Isa Vatovci/Kallxo.com

Jakup Ferri do ta përfaqësojë Kosovën në edicionin e 59-të të Bienales së Venedikut

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit në Kosovë ka shpallur fituesin për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e 59 të Artit të Venedikut.

Në mes të dymbëdhjetë propozimeve që ishin dorëzuar në thirrjen publike për pavijonin kombëtar në Bienalen e 59-të të Venedikut, komisioni i përbërë nga  Sezgin Boynik, Flaka Haliti, Vincent Honoré, Alenka Gregoric dhe Adrian Paci, ka zgjedhur artisitin Jakup Ferri.

Ferri do ta përfaqësojë Kosovën me projektin “The Monumentality of the Everyday” kuruar nga Inke Arns.

Në komunikatën e MKRS-së thuhet se prezantimi pati një lidhje të qartë me temën kryesore të edicionit të ardhshëm të bienales si dhe një reflektim nga artisti mbi përvetësimin e mediumeve më tradicionale – si vizatimet, pikturat dhe thurjet – dhe integrimin e tyre në një qasje konceptuale të njohur.

“Anëtarët e komisionit u bindën jo vetëm nga qasja origjinale e artistit ndaj vizatimit, por edhe nga këmbëngulja e tij kokëfortë për mediumin e zgjedhur dhe një mënyre unike të integrimit të motiveve të tij idiosinkratike – që rrjedhin nga vëzhgimet e mprehta të gjërave që e rrethojnë – në një seri punimesh te reja. Komisioni është gjithashtu i bindur se bashkëpunimi me kuratoren e njohur ndërkombëtarisht Inke Arns do të kontribuojë në prezantimin e shkëlqyer të punës së tij në pavijon”, thuhet në raportin e komisionit.