
Pamje nga Pavijoni i Kosovës. Foto: Facebook/MKRS.
Hapet Pavijoni i Kosovës në Bienalen e 59-të të Artit në Venedik
Pavijon i Kosovës është hapur sot edhe zyrtarisht në kuadër të edicionit të 59-të të Bienales së Artit në Venedik të Italisë.
Këtë vit në Bienalen e Venedikut, Kosova përfaqësohet me ekspozitën personale të Jakup Ferrit “Monumentaliteti i përditshmërisë”, e cila do të ekspozohet në hapësirën ekspozuese “Arsenale” të qytetit monumental italian.
Në hapjen zyrtare të Pavijonit të Kosovës mori pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
“Në një mjedis plot energji pozitive dhe shumë pjesëmarrës, sot hapëm për vizitorë nga mbarë bota pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venecias. Hapësira plot jetë e pavijonit ku gjithçka brenda tij është e punuar dhe kuruar deri në detajin e fundit po tërheq vëmendjen e shumë vizitorëve dhe ky fakt na gëzon shumë”, ka shkruar Çeku në Facebook.
Hapësira shumëngjyrëshe dhe plot jetë e Pavijonit të Kosovës prezantohet përmes pikturave, qilimave e qëndisjeve të Ferrit.
Këto punime tregojnë skena të përditshmërisë që përfshijnë kafshë, fëmijë, akrobatë, muzikantë dhe aktivitete sportive, si noti, zhytja e çiklizmi.
Punimet e Ferrit janë frymëzuar nga vizatimet e fëmijëve, arti popullor dhe i ashtuquajturi art i jashtëm.
Pavijoni i Kosovës organizohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Edicioni i 59-të i Bienales së Venedikut do të zgjasë deri më 27 nëntor 2022.
Kjo është hera e pestë që Kosova përfaqësohet në këtë Bienale. Për herë të parë Kosova mori pjesë më 2013.
