Sfidat e sopranos që e dërgoi Kosovën për herë të parë në garën botërore të operës

Sopranoja Elbenita Kajtazi gjatë muajit qershor arriti ta përfaqësojë Kosovën për herë të parë në skenën botërore të konkursit të operës “BBC Cardiff of the World”.

Elbenita Kajtazi ka lindur në Skenderaj dhe është rritur në Mitrovicë. Studimet për këndim i ka kryer në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka tetë vite që jeton në Hamburg të Gjermanisë.

Në një intervistë për “Kallxo Përnime”, ajo rrëfen se pjesëmarrja në këtë garë, ku arriti deri në finale, ishte ndër synimet e saj prej një kohe të gjatë. E krahas kësaj dëshire ishte që te jetë e para ta prazantojë shtetin e Kosovës.

“BBC Cardiff of the World është konkursi më i madh botëror i këngëtarëve operistikë në gjithë botën. Rruga për me arritë deri të Cardiff është jashtëzakonisht e vështirë sepse ka aplikantë nga e gjithë bota. Seleksionimi bëhet në sfera të ndryshme. Kësaj here rundet i kemi pasur përmes videove që i kemi dërgu dhe përzgjedhjen e fundit e atyre që do të shkojnë në Cardiff e bënë këngëtarja e njohur austriake. Kam pasur fatin që më u zgjedh edhe unë e me përfaqësu Kosovën.  Është një garë që me të vertetë prezantohen shtetet”, ka thënë ajo.

“Kam punu shumë që tetë vite që kam shku në Gjermani, qëllim këtë garë e kam pasur që dhjetë vite kur kam degju për të. Kam thanë du me qenë e para që me prezantu Kosovën..Ka qenë hera e parë që kam apliku, se kurrë nuk e kam ndje veten gati. Sepse duhet me pasë një bagazh shumë të madh për me arritë me u seleksionu dhe me shku atje”, shtoi sopranoja.

Ajo ka deklaruar se në një program prej 17 pjesëve ka përformuar në tetë gjuhë të ndryshme, përfshirë këtu edhe në gjuhën shqipe.

“Këtë vit meqenëse pauzova për shkak të pandemisë, nuk kam pasur shumë shfaqje, vendosja mu u përgatit, kam qenë e përgatitur që mos me u përzgjedh. Pritshmeritë i kam pasur që edhe mos me u zgjedh.. Kam shku prej Gjermanisë, kam qëndru dhjetë ditë në karantinë e mbyllur, pas këtyre ditëve ka fillu konkursi ku unë kam përformu rreth 17 pjesë në tetë gjuhë të ndryshme – frëngjisht, italisht, gjermanisht, anglisht, shqip, suedisht, çekisht dhe rusisht”, tha ajo.

“Është e domosdoshme me i mësu gjuhët. Unë personalisht këndoj shumë në gjuhën gjermane dhe italiane. Ka raste kur vjen një regjisor gjerman edhe nuk do me të folë anglisht e të flet gjermanisht. Deshte – s’deshte duhet me u përkushtu me mësu gjuhën që me arritë me komuniku me regjisorin, që me i ditë kërkesat e tij ndaj teje”, tregon ajo.

Sopranoja kosovare nga Mitrovica, Elbenita Kajtazi, ishte paraqitur edhe në skenën e Filarmonisë së Berlinit si pjesë e operës “Werther” krijuar nga kompozitori francez Jules Massenet.