Rrëfimi për çantat me para që u përdorën për të korruptuar pushtetarët

Prokurori Rasim Maloku në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” ka ndarë detaje për hetimet në rastin “Brezovica”.

Në emisionin që transmetohet sonte (e diel) nga ora 20:15, gazetari Kreshnik Gashi ka biseduar me prokurorin Maloku për një varg detajesh në dosjen “Brezovica”.

Në nisje prokurori ofron përgjigje për mënyrën se si ishin dhënë paratë dhe si ishin përdorur çanta e qese për të transportuar ato.

Tutje, prokurori rrëfen për vilat e personave me ndikim dhe mënyrën se si biznesmenët shqiptarë i merrnin paratë dhe i dorëzonin te pushtetarët serbë të Shtërpcës.

Në rrëfimin ekskluziv prokurori flet edhe për arratisjen e Millan Radojiçiqit.

Për herë të parë në intervistë do të zbulohet përfshirja e një shqiptari në negociatat për të korruptuar dëshmitarët në rastin “Brezovica”.

Prokurori do të rrëfejë sasinë e parave që u premtuan nga Radojiçiq për të blerë dëshmitarët në rastin “Brezovica”.

Në rrëfimin e tij prokurori Maloku do të shpalosë edhe tentativat për ndikim nga njerëzit e sistemit të drejtësisë, përfshirë gjykatës.

Në pjesë të veçanta prokurori do të ofroj detaje edhe për vilat e vëllezërve të Hashim Thaçit e vilën e deputetit Enver Hoxhaj.

Shtrirja e korrupsionit në nivelin qeveritar po ashtu do diskutohet me prokurorin Maloku.

Aty do flitet për ndikimin e mikut të Liburn Aliut në këtë rast e po ashtu rolin e ish-sekretarit permanent Arben Qitaku në këtë dosje.

Transmetimi i intervistës vjen në kuadër të serisë së emisioneve për rastin “Brezovica”.

Të shtunën, “Kallxo Përnime” transmetoi materiale ekskluzive, përfshirë pjesë nga rrëfimet e dëshmitarëve të cilët kanë dhënë para për të korruptuar pushtetarët.

Dosja “Brezovica” është një nga rastet më të mëdha të korrupsionit në vend.

Mbi 100 pushtetarë e njerëz të biznesit janë nën hetime dhe akuzohen për ngjarjet në zonën ku janë ndërtuar rreth 800 vila jashtë kritereve të ndërtimit.