Pse s’po zbatohet strategjia kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronarë? - LIVE

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e ka miratuar “Strategjinë kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronarë në Republikën e Kosovës” për vitet 2022-2028, strategji e cila nuk po gjen zbatim.

Arianit Abazi, këshilltar politik në MAPL, ka thënë se në janar të këtij viti është themeluar mekanizmi ndërinstitucional, i cili merret me mbikëqyrjen e kësaj strategjie.

“Prej janarit ky mekanizëm ka mbajt disa takime dhe tash do të filloj një punë më intensive dhe të shohim se cila është mënyra më e duhur për me implementu strategjinë. Në takime janë diskutuar masat të cilat duhet të merren sepse nuk mund të merren vendime ad hoc. Këto masa ndërlidhen me shumë institucione dhe kërkojnë shumë buxhet”, ka thënë Abazi.

Ai ka shtuar se këto masa janë të parapara edhe në strategjinë kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronarë në Kosovë.

Ndërsa Elza Ramadani e cila është aktiviste për të drejtat e kafshëve ka thënë se duhet ndarë buxhet për zbatimin e kësaj strategjie.

“Është urgjencë kombëtare trajtimi i qenve endacakë, andaj Ministria e Financave të ndaj një linjë buxhetore për këtë problematikë”, ka thënë Ramadani.

Ndryshe në përpjekje për të gjetur një zgjidhje në nivel vendi, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në fund të korrikut 2022 ka hedhur në diskutim “Strategjinë kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronarë në Republikën e Kosovës” për vitet 2022-2028.

Në Kosovë nuk dihet numri i qenve endacakë dhe as i atyre me pronarë.

Strategjia, e cila është hartuar me iniciativë edhe të shoqërisë civile, synon që problemit të qenve endacakë t’i qaset përmes kontrollit të qenve me pronarë.

Hapa që mund të zgjidhin problemin e vjetër të qenve endacakë