Një qen - Foto: Facebook

OJQ 'Të Bashkuar për Kafshët' fton vullnetarët të vëzhgojnë projektin për qentë endacakë

Organizata joqeveritare “Të Bashkuar për Kafshët” u ka bërë thirrje aktivistëve për të drejtat e kafshëve që ta fillojnë monitorimin e projektit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë për qentë endacakë.

Projekti “Menaxhimi dhe kontrolli i qenve endacakë” sipas njoftimit të AUV përfshin zënien e qenve, mjekimin (vaksinimin dhe trajtimet e nevojshme mjekësore), kastrimin, sterilizimin dhe në raste të veçanta eutanazinë (për eutanazi vendos veterinari duke respektuar aktet ligjore ne fuqi).

Po ashtu, OJQ-ja i ka shkruar pikat kryesore për të cilat synon të mbledhë informata nga vullnetarët: Çdo të dytën ditë të monitorohen pikat kryesore ku mblidhen qentë, me foto, edhe për të parë nëse mungojnë qentë, të raportojnë në grupin e mbyllur në Facebook “Të Bashkuar për Kafshët” apo në faqen zyrtare “United for Animals – UFA”, foto të qenve për të mbajtur evidenca, të raportojnë për qentë që mungojnë edhe ku mungojnë, sidomos nëse ata kanë pasur “vathë”.

Ndërsa, Nora Ahmetaj nga “Të bashkuar për Kafshët” ka thënë për KALLXO.com se iniciativa është tërësisht vullnetare dhe se organizata nuk ka aplikuar për fonde për ta zhvilluar atë si projekt.

Ajo tregoi se projekti i AUV-së ka kontraktuar veterinarë në 7 komuna kryesore të cilët operojnë edhe në komunat fqinje të rajonit të njëjtë.