Palokaj: Në Bruksel janë dy qendra që gjithmonë e mbrojnë Serbinë

Korrespodenti i Grupit “Koha në Bruksel, Augustin Palokaj ka thënë se në Bruksel janë dy qendra që e mbrojnë Serbinë.

Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, ka shtuar se këto dy institucione nuk kanë asnjëherë kritika për shtetin serb.

Sipas tij nga sulmi në Banjskë megjithëkëtë, qasja ndërkombëtare në dialog mes Kosovës e Serbisë ka ndryshuar.

“Qasja e ndërkombëtarëve në raport me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë ka ndërruar. Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm, asnjëherë nuk thonë asgjë kritike ndaj Serbisë. Kritika më e madhe ndaj saj është kur fajësohen të dyja palët, ndërsa ndaj Kosovës është gjithmonë që kur Kosova sipas mendimit të tyre kur nuk ka bërë diçka, atëherë kritikohet në mënyrë direkte”, tha Palokaj

Ai më tej ka shtuar se në takime të brendshme nëpër grupet punuese, në Këshill dhe në Komisionin Evropian e kanë të qartë se është pothuajse e pamundur që në një farë mënyre, Serbia të mos ketë pasur ndikim në sulmin terrorist.

“Ka ndryshuar qasja sepse në termin e Bashkimit Evropian ka hyrë edhe ‘sulmi terrorist’, ky term nuk përdoret lehtë në gjuhën e Bashkimit Evropian dhe në anën tjetër, përballja me realitetin që ka mundur të shpërthej lufta atë ditë në Kosovë e në anën tjetër, dëshira për ta pasur Serbinë si partner ka ndikuar që këta të jenë përballë një presioni për ti vendosur sanksione Serbisë, por në anën tjetër për tu tentuar që të mos vendosen sanksione e tash mënyra më e mirë për të blerë kohë për Serbinë është gjetur përmes formulimit që po presim përfundimin e hetimeve”, tha Palokaj.