Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministrja e Drejtësisë: Partitë nuk erdhën në takim për Vetting-un, sfida më e madhe do jetë Lista Serbe

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se shumica e partive, përpos disa të minoriteteve, nuk i janë përgjigjur ftesës për takim lidhur me reformën në drejtësi.

Në emisionin “Kallxo Përnime” ajo potencoi se Vetting-u do jetë reforma më e thellë në sistemin e drejtësisë.

“I kam ftuar partitë në takim, por deri tani asnjë nuk kanë ardhur, përpos disa nga minoritetet, është ftesa e dytë. Ne u kemi thënë që ta caktojnë ata vetë orarin, por nuk kas pasur lëvizje”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu tha se për të filluar kjo reformë parashihet të krijohet një autoritet i vlerësimit kalimtar, jashtë institucioneve të drejtësisë, që do verifikojë prokurorët e gjyqtarët.

“Vetting-u është refoma më e thellë në drejtësi dhe tashmë e kemi një draft të parë të amendamenteve kushtetuese, parashihet të formohet një autoritet i vlerësimit kalimtar, jashtë institucioneve të drejtësisë, që do bëjë verifikim të gjyqtarëve, prokurorëve, pasurinë e pajustifikueshme, shkelje disiplinore. Deri të kryhet Vetting-u do ekzistojë ky autortitet”, ka thënë Haxhiu.

Sipas ministres, shpalljen për formim të këtij autoriteti e bën presidentja dhe procesi do zgjasë 5 vite.

Ajo potencoi se gjysma e problemit largohet pasi të hyjë në proces niveli i lartë.

“Shpalljen e bën presidentja, më pas Kuvendi me nje trup ndërkombëtar do përzgjedhin njerëzit që do bëjnë këtë vlerësim kalimtar, sepse disa nuk duan të quhet Vetting. Ky autoritet do zgjasë 5 vite, do nisë nga nivelet më të larta pasi aty e kemi edhe problemin, gjysma e problemit do zgjidhet kur të hyjnë në këtë proces niveli i lartë”, shtoi tutje Haxhiu.

Sipas saj, në gjithë këtë proces, sfida më e madhe do jetë Lista Serbe, pasi votat e tyre janë të nevojshme për ndryshime kushtetuese.

Haxhiu tha se Kosova është i vetmi vend ku një komunitet joshumicë ka fuqi kaq të madhe.

“Sfida më e madhe është që ky proces nuk do mund të kryhet pa Listën Serbe, patjetër duhet votat e tyre për ndryshme kushtetuese. Kjo nis prej koncesioneve që i kemi bërë ne, nuk ka një shtet si Kosova që një komunitet joshumicë ka fuqi kaq të madhe, nuk mundet me u ndryshu Kushtetuta pa votat e tyre”, tha Haxhiu.

Ministrja theksoi se në rast të dështimit, e kanë edhe planin B, me ndryshime ligjore që do jetë shumë më i vështirë.