Kryeziu për kohën e luftës: Në të njëjtën kohë punoja fotoreporter dhe kamarier

Fotografi Visar Kryeziu ka rrëfyer për angazhimin e tij në kohën e luftës së fundit në Kosovë si fotoreporter.

Kryeziu theksoi se si lëndë profesionale në Akademinë e Arteve, kishte fotografinë, si rrjedhojë kishte parë një konkurs në gazetën “Koha Ditore” për fotoreporter dhe kishte aplikuar.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ka rrëfyer se në kohën e studimeve punonte edhe si kamarier.

“Në ato kushte në atë kohë, kostoja me ble një aparat ishte shumë e lartë, blerjes së filmit, zhvillimit të filmit, edhe unë punoja edhe si kamarier. në ‘Kohën Ditore’, e pashë një konkurs për fotoreporter, aplikova dhe e fitova vendin e punës. Në ’96-n, edhe kjo më ka ndihmuar me kompletu lëndën” – tha Kryeziu.

Ai tutje shtoi se pas tre muajsh që filloi punën, nisi lufta në Kosovë.

“Pas kësaj shumë shpejt jam angazhuar nga BBC-ja…filloi lufta filloi konflikti dhe disa emisarë erdhën në Prishtinë edhe thanë që UÇK-ja është grup terrorist. Na u indinjum qaq shumë, tu i njoftë e tu e ditë se kush janë, tu e ditë ku është bërthama, na e morëm si mision tonin që me e ndrru atë narracion, atë mendim, sepse ne e dimë që shumë ekipe ndërkombëtare kur kanë ardhë në Kosovë, fillimisht u ndalshin në Beograd dhe nga atje me një storje të gatshme, veç vishin këtu ….. xhamia, plisi i ka identifiku shqiptarët e Kosovës në sy të ndërkombëtarëve” – ka thënë tutje ai.

Fotografi tregoi se si shfrytëzoi median prestigjioze britanike BBC-në për të raportuar të vërtetën që po ndodhte në Kosovë.

“Kam qenë 21-vjeçar, fotoreporter i ‘Kohës Ditore’, kam punu si përkthyes, e shfrytëzojshim BBC-në, për me i çu ata nëpër ngjarjet që kanë ndodhë, në të njëjtën kohë i bojsha fotografitë për ‘Kohën Ditore’ sepse me dalë me ekipë të ‘Kohës Ditore’ ka qenë e pamundur, d.m.th as në Fushë Kosovë s’ke mujtë me mbrri” – ka rrëfyer tutje Kryeziu.

Ai ka rrëfyer se shpesh edhe në përkthimet që i kishte bërë për ndërkombëtarët, nuk i kishte transmetuar të gjitha gjërat siç i kishin thënë ushtarët e UÇK-së.

“Shpesh edhe në përkthim, folke na jemi kshtu na ashtu, na ja kthejshim krejt tjetër send. Të vërteten e kemi kallxu por disa fakte i kemi modifikuar. ‘Nuk do t’i dorëzojmë armët deri në bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare’ thonin ata, kurse ne e kthejshim pak ma butë” – ka thënë duke qeshur Kryeziu.