Foto: Urim Kransiqi/KALLXO.com

Kryetari i ri i Gjilanit tregon nëse aksioni në veri ishte për fushatë zgjedhore

Alban Hyseni, i cili do të jetë kryetari i ri i Gjilanit, ka folur në emisionin “Kallxo Përnime” për aksionin në veri, targat e Serbisë, shtesat për fëmijë dhe projektin e rrugës Prizren- Tetovë, vendime të cilat i ka marrë dhe i ka paralajmëruar Qeveria e Kosovës në krye me kryeministrin Albin Kurti.

Hyseni ka thënë se nuk i sheh si publicitet gjatë fushatës zgjedhore.

“Nuk i shoh ashtu. Për shtesat për fëmijë është punu tepër shumë, ndërkohë ajo që po i mungon Lëvizjes Vetëvendosje në nivel nacional, po flas si deputet në dorëheqje, i mungon publiciteti i punës së Qeverisë. Pra nuk bëhet e madhe një punë që është në përgatitje e sipër nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha Hyseni.

Për targat e Serbisë, Hyseni ka thënë se reciprociteti ka qenë njëri ndër premtimet kryesore që ata kanë bërë dhe se nuk mund ta caktonin momentin se kur do të bëhej vendosja e atyre targave.

“Nuk e priti që të ndodhte në zgjedhje, por e priti bash momentin kur ishte analizuar si zgjidhje. Momentumin nuk mund ta diktojmë ne se kur janë zgjedhjet e kur nuk janë”, shpjegoi ai.

Për projektin e rrugës Prizren-Tetovë, Hyseni tha se nuk është projekt i ri dhe se nuk beson që LVV e ka bazuar fushatën në atë rrugë për kryetarin Mytaher Haskuka.

“Nuk kam mundur ta përcjell por unë mesa e di nuk është bërë e gjithë fushata në këtë drejtim”, tha Hyseni.

Aksionin në veri kundër kontrabandës dhe ilegalitetit, Hyseni thotë se nuk sheh ndonjë ndërlidhje me nivelin lokal. Gjithashtu, për rihapjen e terminalit në Trepçë ka thënë se mund të kishte ndikim në Mitrovicë por jo në nivel vendi.

Alban Hyseni ka fituar garën për kryetar të Gjilanit, duke e mposhtur në balotazh Lutfi Hazirin e LDK-së.