Ekspertët: Përdorimi i steroideve anabolike mund të jetë fatal për jetën e të rinjve

Kardiologu Hamza Selmani, ka treguar për emisionin “Kallxo Përnime” se një person që përdor steroide në të ardhmen mund të përballet me hipertension, me ngushtim të enëve të gjakut të zemrës, mund t’i shfaqet diabeti, mund të ketë probleme me frymëmarrje dhe i zgjerohet zemra, dhe sjellin edhe vdekjet e papritura.

“Një person që përdor steroide në moshë të re kur është aktiv me fitnes ose me sport duhet ta dijë se ka një rrezik të shtuar në të ardhmen për t’iu paraqitur tensioni i lartë ose hipertensioni, ka një rrezik të shtuar me pasë ngushtim të enëve të gjakut të zemrës, për shkak se e rrisin masën muskulore, mund të shfaqet diabeti… Gjithashtu personat e tillë kur e lënë sportin pas një kohe edhe nuk janë aktiv shumë kanë mundësi me fitu mbipeshë, me qenë obez, me pasë probleme me frymëmarrje, e disa probleme tjera. Më të shpeshta janë problemet që lidhen me tension të lartë, tensioni i lartë e zgjeron zemrën, mundet me pru edhe te vdekjet e papritura”, tha ai.

Selmani insiston se secili person që mendon t’i hyjë botës së steroideve duhet patjetër të konsultohet me mjekun paraprakisht.

“Unë si kardiolog, duke e marrë parasysh edhe eksperiencën që e kam pasur kur kam qenë jashtë vendit, në Itali, me kontrollat që i kemi bërë atje pacientëve post-ushtrimeve, e kemi kontrollu gjendjen e zemrës pas 20 viteve te 40 vjeçarët te 45 vjeçarët, te njerëzit që kanë qenë mundësa, që kanë qenë peshëngritësa, zakonisht i kena parë këto komplikime. Komplikimet e tensionit, komplikimet e diabetit më të shpeshta te njerëzit që i kanë përdor në mosha të reja, ata në 40-45, unë nuk e rekomandoj përdorimin e tyre, ose strikt me këshillën e mjekut… Unë jam strikt, nuk e rekomandoj përdorimin e steroideve te djemtë e rinj, te vajzat ose me kontroll strikte shumë”, shton Hamza Selmani.