Ilustrim: Pixabay

Ëndrra e rinisë nga shkollat e Prishtinës në ligën gjermane të futbollit 

Të edukuar në fushat e terrenet me kushte jo shumë të mira dhe ekonominë e cila nuk garanton shumë financa për shkollimin, të rinjtë nga kryeqyteti po dëshmojnë se mund të arrijnë majat e suksesit në futboll.

Nga fushat me bari ku shiu mund ta prishë lojën dhe lojërat nuk mund të luhen për disa javë për shkak të kushteve të vështira, Guri Hana ka arritur ta zhvillojë karrierën e tij.

Nxënësi që gjysmën e shkollimit në vend e bëri në shkollë publike,  sot ka arritur të jetë pjesë e e klubit “Luneburg SK Hansa” në Gjermani. 

Karrierën ai e nisi në klubet si “Shqiponjat”,  “Besëlidhja” dhe  “2 Korriku”. 

Guri Hana, një sportist i ri kosovar që i ka rënë të shoh të dy anët e botës sportive thotë se sheh potencial të madh në futbollin kosovar por infrastruktura nuk është e kënaqshme.

Ai thotë se ka vërejtur dallim të madh në infrastrukturën e futbollit në Kosovë me atë çfarë ka parë në Gjermani.

“Më vjen keq ta them, mirëpo dallimi është shumë i madh, ndoshta jo aq i madh në cilësinë e futbollistëve, mirëpo në intensitet të lojës si dhe fizikisht ka shumë dallim”, tha ai.

Megjithë problemet me infrastrukturë, Hana është falënderues për aftësitë që ka fituar në kohën sa ka ushtruar në Kosovë që ia dha edhe shtysën për të vazhduar karrierën ndërkombëtarisht.

“Futbolli në Kosovë po has në kushte të vështira vitet e fundit, por për fatin tim të mirë në vitet e fundit kam qenë pjesë e një klubi të organizuar”, thotë ai.

Problemet infrastrukturore nga perspektiva e trajnerëve

Sivjet, Kosova do të shënojë 4 vjetorin e pranimit në Federatën Botërore të Futbollit (FIFA) dhe Federatën Europiane të futbollit (UEFA).

Pranimi në këto dy organizata konsiderohet një ndër arritjet  për sportin kosovar pas shpalljes së Pavarësisë.

Që nga ajo kohë në Kosovë është bërë përpjekje për të ndërtuar stadiume që i përshtaten kushteve të UEFA-s. I tillë ishte stadiumi i qytetit të Prishtinës.

Ndërkaq, stadiumi kombëtar është ende në fazën e projektimit dhe ndërtimi i tij nuk ka filluar.

Megjithtë progresin në këtë fushë, stadiumet e qyteteve tjera lënë për të dëshiruar.

Kushtet e sportit po u shkaktojnë probleme edhe trajnerëve të klubeve lokale në vend.

Mustafë Pronaj, trajner i shkollës së futbollit “2 korriku” në Prishtinë, ka folur për KALLXORinia lidhur me kushtet e futbollit nëpër qytete.

“Kushtet kanë qenë më të vështira në vitet e kaluara, mirëpo edhe pse tashmë janë bërë investime dhe ka përmirësime është e vështirë të punohet sidomos në aspektin infrastrukturor”, tha ai.

Përkundër se jemi të pranuar në FIFA e UEFA, Kosova vazhdon të jetë ndër vendet e vetme që has në probleme me terrene sportive, zhveshtore apo edhe pajisje, të cilat shpeshherë e pamundësojnë zhvillimin e të rinjve që merren me futboll në Kosovë.  

Premtimet se Kosova do të zhvillohet në aspektin e kushteve në sportin e futbollit nuk kanë munguar asnjëherë, madje kanë qenë premtime që nuk janë lënë pa u përmendur thuajse nga asnjë parti politike.

Qyteti i Prishtinës ka 4 stadiume mirëpo nga këto stadiume vetëm njëri është i çertifikuar nga UEFA.

Edhe pse u quajt ndër fushat më me sukses të sportit kosovar, kushtet e të bërit futboll në Kosovë po vazhdojnë të mos jenë optimale.

Vetëm në dy vitet e fundit, kombëtarja kosovare në futboll është bërë çudi ndërkombëtare sa i përket suksesit megjithëse e re në gara ndërkombëtare.

Në vitet 2018/2019, kombëtarja nuk pati humbje për 15 ndeshje rresht ndërsa po pret ende shancën për tu kualifikuar për Kampionat Europian.

Djemtë që e përbëjnë kombëtaren në shumicë kanë zhvilluar karrierat e tyre jashtë vendit dhe nuk u ka rënë të përballet me kushtet e rënda të të bërit sport në fushat jo moderne të lojës nëpër Kosovë.

Autori Altin Govori është nxënës  klasës XI/2 nga gjimnazi “Eqrem Çabej ”, në Prishtinë. Artikulli është prodhuar në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve të nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, dhunti dhe talente të veçanta në fushën e gazetarisë hulumtuese”, të përkrahur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit