Inspektimi i stadiumit të Prishtinës. Foto: Kallxo.com

VIDEO - Kosova Pret Vlerësimin e UEFA-s për Stadiumin e Prishtinës

Inspektorë të UEFA-s kanë zbarkuar sot në Prishtinë për t’i parë punimet në renovimin e stadiumit të qytetit të Prishtinës.

Gjatë një turi që i bënë këtij stadiumi, ata u shoqëruan të mërkurën nga ministri i Sporteve, Kujtim Gashi, dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Ministri Gashi tha se është në pritje të një vlerësimi nga UEFA nëse gjithçka është në rregull me punët e kryera dhe të planifikuara në këtë stadium, i cili do ta bënte ekipin kombëtar të Kosovës në futboll t’i luajë ndeshjet ndërkombëtare brenda territorit të Kosovës.

Deri më tani, Kosova ndeshjet kualifikuese për kampionatin botëror si vendas i ka luajtur në Shqipëri, ndërsa ato miqësoret nëpër shtete tjera.

“Ka qenë përkushtim i imi për ta finalizu këtë projekt. Është një projekt i financiuar nga MKRS. Ëstë bërë punë e mrekullueshme për t’u kthyer ky stadium në kategorinë e katërt”, tha ministri Gashi gjatë inspektimit të punimeve në stadium.

“Besoj gjithçka po shkon mirë deri në këto momente dhe besoj se do ta kemi stadiumin e përfunduar deri në qershor. Jam i bindur se çdo detaj i paraparë në kontratë do të finalizohet”, shtoi ai.

Punimet në këtë stadium janë financuar nga buxheti i Kosovës dhe pjesa e dytë e tyre ka kushtuar mbi 4 milionë euro ndërsa ministri Gashi tha se shpreson që inspektimi i sotëm nuk do të nxjerrë nevojën për ndonjë investim shtesë.

Ndërsa kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, tha se puna e parë që do të bëhet pas përfundimit të punimeve është testimi i barit.

“Në funksion të përfundimit të punimeve ne do ta organizojmë një ndeshje jozyrtare për ta testuar barin. Nëse punimet kryhen në dinamikën e paraparë në qershor do të shohim për një ndeshje miqësore”, tha Vokrri.

“Mendoj që është një impiant i mirë”, shtoi ai.

Vokrri tha se pronar i këtij stadiumi është komuna e Prishtinës dhe asaj i takon t’i japë zgjidhje përdoruesit të ardhshëm të këtij stadiumi.