Ndryshimi i Dyshimtë i Lokacionit dhe Projektit të Stadiumit

Zhvendosja e stadiumit kombëtar nga Prishtina në Drenas është bërë duke shkelur një vendim të qeverisë së Republikës së Kosovës të vitit 2014. Përveç shkeljes së vendimit të qeverisë, Gazeta JnK ka gjetur se ka shumë mos-përputhje të arsyetimeve për ndërrim të lokacionit, siç është kontestimi i pronës.

Procedurat e prokurimit për fizibilitetin e Stadiumit në Bërnicë ende nuk janë anuluar, ndërkohë që në Ministrinë e Kulturës thonë se do të ketë ndryshime edhe në projektin fillestar.

Gazeta gjen mospërputhje në mes të deklaratave të anëtarëve të kabinetit Haradinaj. Përderisa është e dyshimtë procedura deri te vendimi për caktim të lokacionit të stadiumit në Drenas, për lokacionin në Bërnicë është një dokument i përgatitur nga një komision 10 anëtarësh.

Rrëzimi i dyshimit i vendimit të komisionit

Një komision prej 10 zyrtarëve i krijuar në qershor të 2015 nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte pasur për detyrë për të përcaktuar lokacionin për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar të Kosovës. Për këtë, ata ishin obliguar që ta bëjnë një raport me shkrim, të cilin e kanë dërguar në MKRS dhe në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Anëtarë të këtij komisioni kanë qenë: Ibër Alaj (MKRS), Muharrem Sahiti (MKRS), Aferdita Fazlija (MKRS), Florim Kryeziu (MKRS), Fadil Vokrri (FFK), Eroll Salihu (MKRS), Arlinda Ramosaj (MKRS), Fitim Arifi (MKRS), Zejnullah Krasniqi (Komuna e Prishtinës) dhe Erblin Bucaliu (Komuna e Prishtinës).

Raporti i komisionit 10- anëtarësh është bërë i pavlefshëm nga një vendim politik. Lajmëtari i ndërrimit të lokacionit të stadiumit të kombëtar të Kosovës ishte kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Në një intervistë për televizionin publik nga Hungaria e më pas me një postim në profilin e tij në Facebook, Veseli shkroj se Drenasi do të jetë vendi ku do të ndërtohet Stadiumi i Kombëtarës.

“Hungaria është mbështetëse e madhe e Kosovës dhe është e gatshme që vendin tonë ta përkrahë financiarisht në disa projekte, siç është ndërtimi i stadiumeve olimpike në Prizren dhe në Drenas, si dhe modernizimi i stadiumeve në Mitrovicë dhe në Prishtinë. Këto dhe të tjera projekte në vlerë prej dhjetëra miliona eurosh, së shpejti do të vihen në jetë”, kishte shkruar Veseli në Facebook.

Lajmi që dha kryeparlamentari ngjalli një debat të ashpër nëpër mediat sociale. Debatin tentoi ta ndalojë, Avni Arifi shefi i kabinetit të kryeministrit.

“Stadiumi Olimpik ndërtohet aty ku ishte planifikuar. Pra në Bërnicë të Poshtme. Është gënjeshtër e kulluar ideja e zhvendosjes së tij në Drenas”, kishte shkruar në profilin e tij në Facebook Avni Arifi, shef i stafit të kabinetit të Kryeministrit Haradinaj.

I kontaktuar nga Gazeta JnK, Arifi thotë se atë ditë ka folur bazuar në informacionet që i kishte. Ai tregon se lajmi i Veselit ishte i befasishëm edhe për kabinetin e kryeministrit.

“Atë ditë kur e kam bërë postimin, e kam bërë konform informacioneve që kanë qenë. Deri në atë ditë, përveç thashethemeve kurgjo zyrtare nuk ka ardhë në zyrën e Kryeministrit apo në Qeveri. Deri atë ditë, kurrë kërkush nuk ka folë për këtë çështje”, tha Avni Arifi.

Është ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi që e konfirmon atë që e ka thënë Veseli. Gashi është ministër që vjen nga PDK-ja, ndërsa kryeministri dhe shefi i kabinetit, Avni Arifi nga AAK-ja.

“Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të rishikuar procesin në hollësi, andaj MKRS ka pezulluar të gjitha proceduarat lidhur me studimin e fizibilitetit në lokacionin në Bërnicë, dhe së shpejti  do të fillojë me procedurën për studimin fizibilitetit  në lokacionin në Drenas, pasi që, lokacioni i përfolur deri më tani në Bërnicë, ka konteste pronësore juridike, e ku si rrjedhojë nuk është bërë shpronësimi i tokave (parcelës)”, tha ministri Gashi për Gazetën JnK.

Sipas tij, parcelat në Bërnicë janë të paidentifikuara.

“Parcelat në Bërnicë janë prona të paidentifikuar, prona private dhe prona të kontestuara, prandaj ne si MKRS, nuk jemi të interesuar që edhe ma tutje të humbim kohë me këto çështje të cilat nuk janë zgjidhur tash e sa vite”, tha në mes tjerash ministri Gashi.

Por, për ish-ministrin Kujtim Shala, ndërrimi i lokacionit duke u thirrur në kontestin pronësor është i paqëndrueshëm.

Shala thotë se çështja e pronësisë ishte zgjidhur.

“Kemi bisedu me të Komunës së Prishtinës, ka dalë që është pronë e ish-armatës jugosllave dhe në mars të këtij viti Qeveria me një vendim, atë pronë dhe krejt pronat e asaj natyre i ka ba pronë të veten, pastaj i kemi filluar procedurat e tjera”, tha për Gazetën Jeta në Kosovë, ish-ministri Shala.

Vendimi të cilit i referohet Shala është i publikuar në ueb-faqen e kryeministrit të Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës në Mars të 2017 kishte marrë vendim që të gjithë pronat e paluajtshme që kanë qenë të regjistruara në emër të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë të regjistrohen në emër të Republikës së Kosovës si pronare e këtyre pronave. Ky vendim i Qeverisë i hapte rrugës projektit për ndërtimin e stadiumit, pasi që toka në Bërnicë i kishte takuar ligjërisht ish-armatës jugosllave.

Gazeta ka gjetur se Ministria e Kulturës kishte dërguar një shkresë në Ministrinë e Mjedisit bazuar në Vendimin e qeverisë të marsit 2017, për t’i mundësuar që toka në Bërnicë të kalojë në emër të MKRS-së.

Gazeta JnK pa provuar të kontaktojë me ish-ministrin e Mjedisit, Ferat Shala për të kuptuar arsyet pse nuk janë bartur pronat në emër të MKRS-së. Kontakti me të ka qenë i pamundur. Gazeta JnK ka provuar të kontaktojë edhe me ministren e re të Mjedisit, Albena Reshitaj. Ndonëse herën e parë e ka hapur telefonin një person tjetër duke thënë se ministrja është e zënë, ndërsa herëve tjera kontakti me të ka qenë i pamundur.

Vendimi i “shfuqizuar” i qeverisë

Veprimet e ministrisë së Kulturës për të ndërruar lokacionin e stadiumit janë në kundërshtim me vendimin e qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Të nisin proceduar për përfshirjen në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të projektit për ndërtimin e një Stadiumi Kombëtar të ri dhe modern në pajtim me standardet ndërkombëtare i cili do të ndërtohet në Prishtinë me kapacitet prej njëzetepesë mijë deri në tridhjetë mijë ulëse”, thuhet në vendimin e Qeverisë Thaçi të mars të vitit 2014. Ky vendim ende nuk është pezulluar.

Madje Hashim Thaçi që në atë kohë ishte kryeministër i vendit, kishte shkruar edhe në Facebook për stadiumin që sipas tij, do të ndërtohet në Kryeqytet.

E ministri aktual i Kulturës, Kujtim Gashi thotë se në vendim nuk përmendet fare lokacioni i stadiumit.

“Është e vërtetë se ekziston një vendim për ndërtim të Stadiumit i datës 18.03.2014, por se në këtë vendim nuk është potencuar lokacioni për ndërtimin e stadiumit, e as që është përmendur ndonjë lokacion në mënyrë specifike. Ne natyrisht që nuk jemi kundër që ta ndërtojmë në Prishtinë, por jemi kundër që edhe ma tutje të humbim kohë dhe t’i sajojmë defektet e qeverisë së kaluar, për këtë projekt”, thotë Gashi.

Avni Arifi, shef i stafit të kabinetit të Kryeministrit Haradinaj thotë se ndryshimi i lokacionit duhet të shkojë përmes qeverisë.

“Ministri dhe Kryeministri nuk kanë diskutuar për këtë çështje. Së pari, na e kemi një vendim të 2014, sa e di unë për t’u zhvendosur stadiumi duhet të bëhet një vendim i ri qeveritarë dhe duhet të shfuqizohet ai i mëparshëm. Kjo nuk ka ndodhë”, tha Arifi. “Përderisa ekziston një vendim i Qeverisë, gjithçka tjetër nuk vlen.”

Paqartësi ka edhe sa i përket procedurave të prokurimit që kanë nisur tashmë.

Në korrik të këtij viti, MKRS-ja kishte nisur procedurat e prokurimit për të bërë studimin e fizibilitetit për stadiumin në Bërnicë.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dëshiron të informojë se, ka nisur me proceduat e prokurimit për Studimin e Fizibilitetit të Qendrës Nacionale për Sport dhe Stadiumit Kombëtar të Futbollit “Dardania Arena”, në Bërnicë të Poshtme të Komunës së Prishtinës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Sportit.

Në këtë njoftim thuhet se kanë qenë 9 kompani që kanë aplikuar për të fituar tenderin për të bërë studimin e fizibilitetit, e të cilat kryesisht kanë qenë nga Anglia, Amerika, Gjermania, Spanja, Franca, Italia, Shqipëria dhe Kosova. Ky aktivitet i prokurimit ka qenë proceduar e kufizuar.

Ish-ministri Shala për KALLXO.com thotë se procedurat e fizibilitetit kanë qenë në fazë të avancuar.

“Është kry studimi i fizibilitetit masi e kam lëshu unë ministrinë, nuk i di rezultatet, por është përzgjedhë atëherë një kompani me konkurs ndërkombëtar, patën konkurruar 9 kompani të huaja dhe unë e kam lënë procedurën në atë fazë”, tha në mes tjerash ministri Shala. “Pretendojshin me thanë që nuk është zhvillu procedurë, por gjithçka është zhvillu qysh duhet, qysh është kërku, me ligj deri në këtë pikë.”

E ministri i Kulturës Kujtim Gashi thotë se kanë kërkuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik që t’i mundësohet që fizibiliteti të

mos bëhet për Bërnicë, por për Korreticë të Drenasit.

“Kjo procedurë është pezulluar deri në një përgjigje nga KRPP-ja, e cila do ta definojë vazhdimin e procedurave për studimin e fizibilitetit, dhe mundësinë që fizibiliteti të vazhdojë të bëhet në Korreticë, në lokacionin e ri”, tha për Gazetën JnK, ministri Gashi.

Ndërrimi i Projekti të Stadiumit në Bërnicë

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar koncept projektin që është bërë nga departamenti i sportit në MKRS  për ndërtimin e Qendrës Kombëtare Sportive në Bërnicë të Epërme të Prishtinës.

“Projekti Stadiumi Kombëtar fillimisht është lokalizuar në pjesën Veri-Perëndimore të qytetit të Prishtinës sipas koordinatave gjeografike 40˚41’ 42’’ dhe 21 ˚ 08’ 55’’, thuhet në këtë projekt propozim të departamentin të Sportit.

Ata kishin parashikuar t’i shpenzojnë 3 milionë euro për studimin e fizibilitetit. Në këto 3 milionë euro të studimit të fizibilitetit janë parashikuar të hyjnë; dokumentet e planifikimit, dokumentet teknike, përvetësimi i tokës, dizajnimi etj.

Në përshkrimin e përgjithshëm të projektit specifikohet se ndërtimi i këtij stadiumi do të bëhet në Bërnicë të Epërme.

“Ky projekt synon përmirësimin e kushteve të Infrastrukturës sportive si dhe promovimin e shtetit të Kosovës në qasjen ndërkombëtare nëpërmjet futbollit dhe talenteve të rijnë kosovarë. Ndërtimi i stadiumit kombëtarë parashihet të ndërtohet në projektin e Qendrës Kombëtare Sportive me sipërfaqe 37 hektarësh në Bërnicë të Poshtme, Komuna e Prishtinës”, thuhet në koncept projektin e siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Në këtë qendër kombëtare sportive, përveç stadiumit është paraparë të ndërtohen edhe objekte tjera.

“Stadiumi kombëtar me 30 mijë shikues, Palestra sportive Multifunksionale me 7 mijë shikues, Pishina Olimpike me 3 mijë shikues, Administrata-Pallati Olimpik (Vendosja e Organizatave Sportive), Fusha Tenisit me 3 mijë shikues, Fushat e Tenisit për stërvitje, Qendra komerciale tregtare, Hapësirat e automjeteve të komunikimit masiv, Objektet e Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit me palestër sportive multisportive me 2 mijë shikues, Katër fusha ndihmëse të futbollit me bari sintetik dhe natyral, Stadiumi me shtigje të  atletikës me disiplinë sipas standardeve të IAAF me 3 mijë shikues si dhe Qendra e Akomodimit Hotel & SPA”, thuhet në përshkrimin e përgjithshëm që është dhënë në koncept projektin.

Aty po ashtu thuhet se  gjatë përpilimit të studimit të fizibilitetit, ku do të përcaktohen në mënyrë të saktë objektet të cilat do të ndërtohen, mund të ketë objekte nga lista e propozuar që mund të largohen apo edhe shtohen.

Ky projekt ishte planifikuar të fillojë të ndërtohet gjatë vitit 2017 e të vazhdojë deri në vitin 2021.

Projekti për ndërtimin e Qendrës Kombëtare Sportive ishte planifikuar të ishte një projekt regjional, ku mund të shërbente edhe për gara ndërkombëtare.

“Projekti në fjalë nëse ndërtohet me kapacitete të tilla mund të konsiderohet shumë i rëndësishëm për rajonin sepse aty do të mund të mbahen gara rajonale, ballkanike, europiane apo edhe botërore në bashkëpunim me vendet tjera në rajon”, vazhdon tutje përshkrimi i projektit.

Por, tash edhe ky koncept ka ndryshuar. Ministri i Kulturës Gashi thotë se në Drenas do të ndërtohet vetëm stadiumi kombëtar.

“Ne jemi të interesuar ta fillojmë ndërtimin e stadiumit, kurse Bërnica mbetet alternativë për një kompleks sportiv, por vetëm pasi të sigurojmë mjete financiare për këtë”, tha Gashi për Gazetën JnK.

KALLXO.com ka shkruar edhe vitin e kaluar për ngecjet në ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar.

http://kallxo.com/vendimi-qe-26-muaj-procedurat-per-stadiumin-askund/

Në debatin për stadiumin është bashkuar edhe kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili kishte shkruar në Facebook se është e paarsyeshme ndërtimi i një stadiumi tjetër, pa u ndërtuar ai i Bërnicës.

http://kallxo.com/ahmeti-nuk-e-stadiumin-nacional-jashte-prishtines/