Fshati i presidentit Thaçi bëhet me rrjet të ri elektrik pas raportimit të KALLXO.com

KEDS-i ka filluar punimet për instalimin e rrjetit të ri elektrik dhe vendosjen e shtyllave të reja të betonit në fshatin Burojë të Skenderajt.

KALLXO.com kishte raportuar më 29 gusht 2019 se banorët e lagjes Duraku, Begani, Jusolli dhe një pjesë e asaj Kaçkini janë në hall me energji të dobët elektrike dhe shtylla të vjetruara që rrezikojnë të rrëzohen.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka vizituar nga afër punimet e KEDS-it në lagjen Duraku.

“Bashkë me nënkryetarin, Nuredin Lushtaku dhe përfaqësuesin e KEDS-it në Skenderaj, Skender Mustafa, vizituam lagjen Duraku, në Burojë, për të parë nga afër punimet që po zhvillohen në instalimin e rrjetit të ri elektrik, bashkë me shtyllat e reja të betonit, pas kërkesës sonë drejtuar kohë me parë KEDS-it”, ka shkruar Jashari në rrjetin social “Facebook”.

KALLXO.com kishte raportuar për problemet me rrymë me të cilat po përballeshin bashkëfshatarët e presidentit Thaçi.