Haradinaj distancohet nga politika e jashtme e Gjergj Dedajt

I pari i qeverisë së vendit, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas deklaratave të zëvendësministrit të punëve të Jashtëm Gjergj  Dedajt ndaj shtetit të Turqisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh qëndrim se, deklarimet mediale që kanë përmbajtje gjuhën fyese ndaj Republikës së Turqisë, nga kushdo qofshin, janë të papranueshme dhe nuk paraqesin politikën zyrtare të Qeverisë Haradinaj, as kur ato thuhen nga ndonjë zyrtar i kësaj qeverie apo kushdoqoftë tjetër”, ka thënë Haradinaj.

Ai tutje ka thënë se deklarimet të tilla nuk paraqesin qëndrimet as të qeverisë dhe as të popullit të Kosovës karshi republikës së Turqisë.

“Këto deklarime, nuk paraqesin as dëshirën e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për ruajtjen e marrëdhënieve tashmë tradicionalisht të mira që ka Republika e Kosovës me Republikën e Turqisë dhe popullin turk!”, është shprehur kryeministri Ramush Haradinaj.

Kujtojmë se zëvendësministri i MPJ-së Gjergj Dedaj në një postim të tij titulluar “Shtrigat e Ballkanit”, kishte thënë se “Turqia dhe Serbia, synojnë rikthimin e tyre strategjik në Kosovë, secila përmes emisarëve të tyre, të mbetur nën rrënjët e sundimit shekullorë dhe mbetjet e këtyre sundimtarëve të ndyre, të cilët duhet te çrrënjosen nga Kosova dhe trojet e Gjergj Kastriotit!”.