Gjykata në Gjakovë pranon t’i bëhet ekzaminim psikiatrik të akuzuarit për vrasje

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë është duke u mbajtur shqyrtimi i dytë ndaj të akuzuarit Fidan Gashi, i cili akuzohet për vrasje.

Gjykata ka refuzuar kundërshtimin e mbrojtjes së të dëmtuarit lidhur me kundërshtimin e aktakuzës, ndërsa e aprovoi propozimin e mbrojtjes për ekzaminimin psikiatrik të akuzuarit.

Gjyqtari Nikollë Komani e aprovoi këtë propozim me arsyen që të konstatohet se i akuzuari a është i aftë psikikisht ta përcjellë edhe gjykimin në mënyrë të rregullt.

Avokatja Blerina Kurtaj ka dorëzuar shkresën e saj lidhur me kundërshtimin e provave dhe të aktakuzës e poashtu dhe sot deklaroi se mbetet në tërësi edhe pranë propozimit për dërgimin e klientit të saj në një ent psikiatrik për ekzaminim.

Prokurori Agron Matjani e kundërshtoi në tërësi kundërshtimin e avokates sipas të cilës, aktakuza duhet të hedhet poshtë meqë “nuk ka prova të mjaftueshme që dëshmojnë se i akuzuari ka kryer vepër penale”.

“Aktakuza ka prova të mjaftueshme se i njëjti ka privuar nga jeta me dashje tani të ndjerën Ajnishah Bytyqi dhe për këtë i akuzuari në deklaratën e tij të dhënë në polici ka pranuar dhe ka përshkruar mënyrën e kryerjes së kësaj vepre penale. Poashtu është raporti i mjekësisë ligjore, raporti i vendit të ngjarjes si dhe vërtetimi mbi sekuestrimin e sendeve të gjetura në vendin e ngjarjes”, tha prokurori Matjani.

Prokurori propozoi që gjykata në rastin konkret ta hedhë poshtë propozimin e mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës ndërsa u pajtua të akuzuarit t’i bëhet ekzaminimi lidhur me gjendjen psikike.

Përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokati Teki Bokshi, deklaroi se e mbështet fjalën e prokurorit Matjani.

Ai tha se në shqyrtimin e ardhshëm do ta vërtetojë se “kemi të bëjmë me vrasje mizore”.

Edhe mbrojtësi i viktimave Agim Pula deklaroi se e mbështet fjalën e prokurorit Agron Matjani dhe të avokatit të autorizuar të palës së dëmtuar, Teki Bokshi.

I akuzuari Fidan Gashi po akuzohet nga Prokuroria për veprën penale të vrasjes, të kryer në shkurt të këtij viti.

Seanca e kaluar ka dështuar të mbahej seanca për shkak se i akuzuari kishte ngecje në të folur.

I njëjti nuk e ka pranuar fajësinë lidhur me vrasjen e tani të ndjeres Ajnishahe Bytyqi.

https://kallxo.com/i-akuzuari-per-vrasje-me-probleme-ne-te-folur-deshton-seanca/

Sipas aktakuzës, Fidan Gashi më 16 shkurt të këtij viti në fshatin Rogovë të Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerën Ajnishah Bytyqi, në atë mënyrë që në natën kritike, rreth orës 01:00 pas mesnatës, duke shfrytëzuar anët e fshehta hyn në shtëpi të viktimës dhe pas një fjalosjeje e godet viktimën me shuplakë e më vonë edhe me dru të shkurtër në pjesën e sipërme të kokës, ashtu që e njëjta bie në tokë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari duke dashur që t’i fshehë gjurmët e vendos viktimën në një divan në dhomë e mbulon me batanije dhe për të qenë i sigurt se ka vdekur e shtrëngon me një kabllo në qafë dhe pastaj largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.